Ndërron jetë në banesën e tij në Miras të Devollit, Zamir Dule, gazetari i njohur i kronikës, gazetari që në 1997 u masakrua brenda ambienteve të gazetës “Koha Jonë”.
Dule kishte kryer para një muaji një ndërhyrje kirurgjikale, ndërkohë që prej kohësh nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Zamir Dule nisi punën si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe më pas filloi korrespondent i gazetës “Koha Jonë” për Qarkun e Korçës.
Në vitin 1994, ai erdhi në Tiranë ku mbuloi po sektorin e kronikës për policinë, prokurorinë dhe gjykatën. Ai arriti kulmin në karrierën e tij në vitin 1996, kur shkroi edhe librin “Përbindëshi i Tropojës”.
Në vitin 1997 ai u dhunua nga policia brenda ambienteve të gazetës “Koha Jonë”. Ai u shoqërua në polici ku u torturua e për pasojë pati edhe probleme të shëndetit mendor.
Që atëherë, gazetari i njohur i kronikës së zezë u shndërua në invalid të shëndetit mendor dhe ka jetuar në fshatin e tij.
Qeveria e kryeministrit socialist Fatos Nano i akordoi gazetarit Zamir Dule pension special, në shenjë vlerësimi për punën në kushte të përndjekjes dhe sidomos për torturimin e tij nga struktura policore.