Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Ajo theksoi se kryepeshkopi kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
“Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët ortodokse humbën sot kryebariun e tyre, Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.
Me vizionin hyjnor, dashurinë e pashtershme, dijet e gjera, erudicionin e pafund, respektin për besimet dhe komunitetet e tjera fetare, shpirtin e tolerancës, përdëllimin e pashoq, komunikimin e ëmbël fetar e njerëzor, Fortlumturia e Tij, Kryepeshkopi Anastas, në kushte të mungesave e vështirësive shumë të mëdha, për më shumë se tre dekada, ringriti dhe konsolidoi Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, projektoi, mbështeti e promovoi institucionet arsimore, humanitare, shëndetësore e kulturore dhe kontribuoi në harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e në botë.
Ngushëllimet më të ndjera për këtë humbje të madhe! Nderim e mirënjohje për trashëgiminë e Kryepeshkopit Anastas!
U prehtë në paqe e përjetësi!”/tch/