Site icon Telegrafi

Ndahet nga jeta arkitekti Kliti Kallamata

Kliti Kallamata (foto: Agron Shala, 2018)

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dha lajmin e largimit nga jeta – si pasojë e koronavirusit – të profesionistit dhe personalitetit nga më të spikaturit në fushën e restaurimit dhe të trashëgimisë kulturore, Kliti Kallamata.

“Trishtim i thellë për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme për trashëgiminë kulturore shqiptare”, shprehet IKTK.

Kallamata u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë, Dega e Arkitekturës në Universitetin e Tiranës, më 1979, dhe u postdiplomua për studimet master në Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut në  Greqi, ku mbrojti temën: “Mbrojtja, ruajtja dhe restaurimi i monumenteve arkitektonike”. Tezën e doktoratës e mbrojti me temën: “Arkitektura dhe arti i kishave post-bizantine të Voskopojës dhe Vithkuqit”.

Gjatë aktivitetit të tij shkencor, Kallamata publikoi një sërë veprash me rëndësi të veçanti, ndërsa aktiviteti i tij profesional e përfshiu në një sërë punimesh, si: në konservimin dhe restaurimin e monumenteve historike në Shqipëri, ku kontribuoi aktivisht në projekte dhe realizime të punimeve.

Nga viti 1981-1989, Kliti Kallamata punoi si arkitekt dhe restaurues në Atelienë e Monumenteve të Kulturës në Korçë, degë e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Nga viti 1989-2006 drejtoi Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Korçë.

Ndër restaurimet më të spikatura janë në Kishën e Shën Gjergjit në Shipckë, Manastirin e Shën Pjetrit e Pavlit në Vithkuq, fazën e parë e të dytë të restaurimit të Kishës së Ristozit në Mborje e shumë angazhime të tjera.

Kliti Kallamata ishte Fitues i disa çmimeve ndërkombëtare.

 

Exit mobile version