Site icon Telegrafi

Ndahet nga jeta aktori Vasillaq Vangjeli

Aktori vuante nga sëmundja e diabetit, e cila i mori dhe jetën. I njohur më së shumti nga publiku për rolin e “Kocit” tek komedia “Zonja nga qyteti” apo tek interpretimi i figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha, ai ishte një nga personazhet më të dashur ne fushën e humorit në vend. Më shumë se 45 vjet në skenë ai ka interpretuar mbi 100 role në teatër, kinematografi dhe estradë.

Roli i tij i parë në teatër ka qenë ai i shoferit me dramën “Lezia” me regji të Pirro Manit, menjëherë pasi përfundoi Akademinë e Lartë të Arteve më 1975. Vasillaq Vangjeli ka lindur në Fier në 19 shkurt 1948. Ka luajtur në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit, “Tre ditët e qametit” të L. Qafezezit, “Mimoza pyeti zemrën”, telekomedi nga T.Miloti, “Tre dhëndurët “ e D. Bubanit, “Mirela” nga L. Bungo, “Një burrë me dy gra” nga R. Kunei, “Divorci” nga Sh. Mita, “Lezeti i kolltukut dhe i krevatit” nga M. Pertgui, komedinë “Gjashtë vjet shtatzënë”, etj.

Ndërsa në kinematografi ka interpretuar në filmat: “Toka e përgjakur”, e më pas me kryerolin e Koçit në filmin “Zonja nga qyteti”, e me radhë në filmat “Pylli i Lirisë”, “Shoku ynë Tili”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Radiostacioni”, “Yjet mbi Drin”, “Ëndërr për një karrige”, “Dasma e shtyrë”, “Ne vinim nga lufta “, “Rrethimi i vogël”, etj.

Ai u ngjit për herë të fundit në skenë në rolin e”Harvey” në Teatrin e Metropolit në Tiranë në shfaqjen me të njëjtin titull.

Ishte një njeri që i pëlqente të ishte i rrethuar me miq, ndaj shtëpinë e tij e kishte kthyer në një lokal ku mblidhte kolegë e miq për të bërë humor./Telegrafi/

Exit mobile version