Sot, nën organizimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, është ndarë mirënjohja “Ora e Presidentit 2018”, për veprimtarin e LDK-së, Hebib Shehu.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu theksoi rëndësinë e këtij çmimi tradicional që për çdo vit i jepet personaliteteve të ndryshme të cilët kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm për LDK-në dhe vendin tonë.
“Z. Hebibit i dëshiroj shëndet, jetë sa më shumë dhe të vazhdojë në mesin tonë, sepse kemi nevojë ende për këtë gjeneratë, për këshillat dhe punën e tyre”, tha z. Veliu.
Për këtë çmim që çdo vit e ndan nëndega NRW në Gjermani, foli kryetari i nëndegës Jakup Gërguri i cili tregoi për veprimtarinë e Hebib Shehut.
“Me shumë vështirësi, por me një kënaqësi të veçantë punuam në atë kohë për popullin e Kosovës”, tha ndër të tjerash Shehu.
Mirënjohja “Sali Ceku”, iu dha edhe ish-kryetarit të Degës në Gjermani, Hazir Krasniqi, i cili për shumë vite dha kontribut për LDK-në.
Pas këtij aktiviteti, delegacioni i diasporës vizitoi Familjen Rugova dhe bënë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.