Në një ceremoni të organizuar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë ndarë Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, i cili i është dhënë Ekrem Kryeziut, regjisor dhe dramaturg, ndërsa Çmimin Vjetor për Kinematografi e ka fituar regjisori Samir Karahoda.
“Është kënaqësi që për herë të parë mora çmim në Kosovë. E çmoj këtë çmim sepse e mora nga njeriu ynë. Aq kam punuar me njerëz, sepse suksesi im ka qenë edhe i juaji”, tha Ekrem Kryeziu.
Ndërsa, Karahoda tha se “ky cmim është motivim për projekte të ardhshme. Puna që e kemi bërë në të kaluarën ka konfirmuar se mund të dalë diçka e mirë dhe ta prezantojmë kinematografinë në formën më të mirë”.
Arsyetimi i Jurisë për ndarjen e çmimit kryesor regjisorit Kryeziu është për shkak se ai ka qenë shumë aktiv në zhvillimin e filmit kosovar, duke filluar me pavarësimin e autorëve në botën e regjisë nga Televizioni i Prishtinës, ku ka prodhuar dy filma. Kryeziu ka qenë pjesë e Kosovafilmit që nga themelimi me filmat “Kur pranvera vonohet” dhe “Gjurmë të bardha” dhe ky film ka qenë edhe arsye e burgosjes së tij për vepër artistike. Regjisori Kryeziu ka krijuar edhe pas mbylljes së institucioneve nga regjimi serb dhe ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për kinematografinë e Kosovës.
Ndërkaq, vlerësimi i Jurisë për regjisorin Karahoda është se ai i takon valës së re të filmbërësve, suksesi i të cilit me filmin “Në mes” për herë të parë vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të Festivalit të Berlinales, një prej festivaleve më të shquara.