Site icon Telegrafi

Ndahen çmimet e letërsisë në Shqipëri

Mes vargjeve të poezive dhe tingujve muzikorë, u mbajt mbrëmja e përvitshme e ndarjes së çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2018 në Shqipëri.

Lista e kandidatëve për çmimet kombëtare të letërsisë përmbante emrat e njohur të autorëve, por risia e këtij viti ishin autorët e rinj të cilët kandiduan në kategoritë e ndryshme.

Për gjuhën përmes së cilës ndërton historinë e fantashkencës, ‘Pika trëndafili’ nga Mimoza Hafizi u shpall fituese si Vepra letrare për fëmijë dhe të rinj.

Çmimi Tregimi më i mire u fitua nga Roland Gjoza, me veprën ‘Për shkak të vajzave nga Parisi’, i cili sjell risi në tregimin shqiptar me një galeri personazhesh komplekse dhe moderne.

Me gjuhën e begatë, për veprat e përzgjedhura që kanë pasuruar botimet me libra nga bota, Luan Topçiu me botimin ‘Shtëpia me brisqe rroje’ të autores Linda Maria Baros, mori çmimin si Përkthimi më i mire i vitit 2018.

Një çmim i shkoi poetit tragjik, të varurit të fundit në perandorinë komuniste. Për vargjet epike të librit me poezi, ‘Vepra poetike e plote’ nga Havzi Nela u shpall fitues, e ky çmim iu dorëzua Rexhep Shahut.

Në veprën e tij, Ismail Kadare ngre lart eseistikën dhe studimet shqipe në nivele ndërkombëtare. “Kur sunduesit grinden” u shpall vepra më e mirë eseistike e viti 2018.

Për qasjen që i bën historisë përmes gjuhës dhe vokacionin e thellë të karaktereve, Romani më i mirë u shpall ‘Gurët e vetmisë’ nga autori Tom Kuka (Enkel Demi)

Exit mobile version