Site icon Telegrafi

Ndahen certifikata për të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova

Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Vesel Makolli sot mori pjesë në ndarjen e 30 certifikatave për të rinjtë me sindromën Down në kuadër të projektit “Fuqizimi i të rinjve me sindromën Down”, projekt ky i nënshkruar muaj më parë në mes MPMS-së dhe Shoqatës Down Syndrome Kosova.

Gjatë këtij takimi zëvendësministri Makolli tha se në bazë të ligjit për aftësimin, riaftësimin dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, çdo punëdhënës është i obliguar të punësojë një person me nevoja të veçanta në çdo pesëdhjetë punëtorë.

“Roli i shtetit për personat me nevoja të veçanta është që atyre t’ju mundësojë arsim dhe forma të tjera të aftësimit profesional, pajisje të punës me mjete të nevojshme, përdorimin e shërbimeve me asistent kur është e nevojshme, dhe materialisht të stimulojë punësimin e tyre në një masë të pranueshme dhe t’i detyrojë punëdhënësit për punësimin e tyre”, tha Makolli.

Ndërsa, drejtoresha e kësaj shoqate, Sebahate Hajdini-Beqiri, tha se ky projekt është përmbyllur me sukses, pasi edhe personat me sindromën Down kanë potencial dhe kurajë, por edhe nevojë për më shumë mbështetje.

Përfaqësuesja e GIZ-it –Departamenti i Aftësive Rinore dhe Punësimit, Julia Becker, tha se qëllimi i këtij projekti është që këta persona t’i integrojmë sa më shumë në vende të punës.

Ndryshe, synimi i këtij projekti ishte përkrahja dhe zhvillimi i trajnimeve profesionale për të rinjtë me sindromën Down, duke mundësuar edhe punësime për nevojat e kësaj kategorie në shoqërinë tonë.

Këto trajnime janë mbajtur në tri qendrat më të mëdha të aftësimit profesional në Kosovë, Prishtinë, Prizren dhe Mitrovicë.

Exit mobile version