Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, të mërkurën ka publikuar emrat e përfituesve të pesëdhjetë banesave sociale.
Ai ka deklaruar se është i kënaqur me punën që ka bërë komisioni për ndarjen e këtyre banesave, duke theksuar se ajo mund të merret model për të gjitha komunat tjera, njofton Klan Kosova.
“Jam i kënaqur me punën që e ka bërë komisioni dhe me atë të vëzhguesve që e kanë përcjellë këtë proces nga fillimi. Ne e kemi bërë këtë sipas ligjit dhe udhëzimit për përcaktimin e radhës sipas përparësisë. Mendoj që ky proces duhet të shfrytëzohet si model edhe nga komunat tjera, sepse gjatë tij kemi hasur edhe në diskutime të interpretimit ligjor – për herë të parë në këtë kategori”, theksoi kryetari i Prishtinës.
Ahmeti ka dhënë edhe shifrat e aplikuesve, nëpër faza, duke nisur nga numri i përgjithshëm i tyre, deri në numrin e përfituesve, në shkallë të fundit.
“Në total 331 familje kanë aplikuar për të fituar nga ky program. Nga to 301 familje i kanë plotësuar kushtet për të. Ndërsa për 50 prej tyre kemi ndarë banesa për strehim social. Normalisht, ne do të pranojmë ankesa për gjithë këtë proces. Po ashtu, komisioni do ta ruajë privatësinë e të gjithë aplikuesve”, tha Ahmeti. /Telegrafi/