Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës janë ndarë mjete financiare në vlerë prej 203 mijë euro për shoqatat e kategorive të dala nga lufta dhe për Lidhjen e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës.
Lidhur me këtë mbështetje financiare, si propozues i kësaj kërkese, Reçica ka thënë se, kujdesi ndaj vlerave të luftës çlirimtare është obligim institucional.
“Mbështetja e kategorive të dala nga lufta kërkon përkushtimin tonë, dhe ne tashmë jemi dakorduar bashkërisht me kryeministrin dhe me përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta që përkujdesja ndaj invalidëve të luftës çlirimtare, respektivisht trajtimi mjekësor i tyre me proteza, nga viti i ardhshëm të rregullohet në mënyrë institucionale përmes institucioneve përgjegjëse Shëndetësore dhe shërbimit spitalor klinike universitar, sikur që jemi dakorduar që mbështetja financiare për shoqatat e dala nga lufta nga viti i ardhshëm të përfshihet në ligjin për buxhetin e shtetit”, ka thënë ministri Reçica.
Ai ka shtuar se, 203 mijë euro ndahen për Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së si dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës.
“Ky vendim ka për qëllim përkrahjen financiare të këtyre shoqatave, për shkak të gjendjes emergjente të shkaktuar nga pandemia COVID-19 dhe gjendjes po ashtu të rëndë për funksionimin dhe kryerjen e obligimeve të tyre, si dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës. Ky fond do të ndahet në kuadër të Fondit për Rimëkëmbje Ekonomike”, tha ai. /Telegrafi/