Në katër ndeshjet e mbrëmjes në NBA pati dy protagonistë absolutë, Russel Westbrook dhe James Harden, që janë dy kandidatët kryesorë për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit të rregullt.
Ylli i Oklahoma City Thunder shënoi 29 pikë, dha 11 asistime dhe kontrolloi 17 topa nën tabelë në fitoren 106-94 në parketin e Miami Heat. 19 pikë për Thunder shtoi edhe turku Kanter, me aktivizimin e tij nga banka, ndërsa në radhët e skuadrës nga Florida, Richardson me 22 pikë ishte shumë pak për të përballuar furinë e Oklahomas, njofton SuperSport.
Houston Rockets është skuadra me formën më të mirë të momentit. Skuadra e James Harden shkatërroi 123-107 Dallas Mavericks, duke koleksionuar fitoren e 13-të vetëm gjatë muajit Dhjetor nga 15 takime të zhvilluara gjithsej.
I papërmbajtshëm Harden, që realizoi 34 pikë në vetëm 30 minuta lojë. Basketbollisti më i mirë i Rocekt ishte i saktë në të gjitha gjuajtjet e lira, rikuperoi 5 topa nën tabelë si dhe dha 11 asiste. 22 pikë shënoi edhe Ryan Anderson për Rockets, me 4 gjuajtje të sakta për tre.
Arrin të fitojë edhe Utah Jazz ndaj Los Angeles Lakers me rezultatin e ngushtë 100-102. Në “Staples Center” u zhvillua një sfidë shumë e ekuilibruar, por në gjysmën e dytë të periodës së fundit Jazz u treguan më të saktë, falë 31 pikëve të Hayward, por vendimtar në fund ishte australiani Joe Ingles, i cili 9 nga 13 pikët e tij i realizoi nga distanca për tre. Në radhët e Lakers më i miri ishte Randle me 25 pikë.
Boston Celtics iu imponua 113 – 103 Memphis Griezzlis në “TD Garden”, të udhëhequr nga Bradly dhe Isaiah Thomas që shënuan respektivisht 23 dhe 21 pikë. 26 pikët e spanjollit Marc Gasol nuk e shmangen dot humbjen e Griezzlies, që pavarësisht disfatës së dytë radhazi mbeten në zonën Play-Off të Konferencës së Perëndimit.