Liga inauguruese e Junior NBA për djemtë dhe vajzat në Kosovë do të fillojë me tërheqjen e shortit nga ish-lojtari i NBA-së Jiri Welsch –
Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) shpalosën sot krijimin e partneritetit të ri për ligën e parë të basketbollit Junior NBA në Kosovë.
Liga inauguruese për djem dhe vajza të moshave 11-14 vjeçe do të fillojë me tërheqjen e shortit, që do të mbahen të martën, më 22 shkurt, në Prishtinë, me pjesëmarrjen e ish-lojtarit të NBA-së Jiri Welsch. Ngjarja do të pasojë me 30 shkollat fillore pjesëmarrëse nga e tërë Kosova, të cilave do t’u caktohet një ekip i NBA-së dhe të cilat do të pajisen me fanella të ekipit përkatës të NBA-së për ndeshjet e basketbollit.
Ngjashëm me NBA-në, ekipet e Junior NBA të Ligës së Kosovës do të ndahen në dy konferenca dhe gjashtë divizione. Liga do të zgjasë nga marsi deri në maj të vitit 2022, me tetë skuadrat më të mira nga çdo konferencë që kualifikohen për play-off. Dy kampionët e konferencave do të takohen më pas në finale në maj për të luajtur për titullin e parë të Ligës Junior NBA të Kosovës.
“Bashkëpunimi me NBA-n është një nga ndërmarrjet më të vlefshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës, kryesisht për shkak të fuqisë së markës që NBA-ja sjell në këtë projekt”, tha Sekretarja e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, Elvira Dushku. “Jemi të lumtur që programi i Ligës së Junior NBA në Kosovë do t’u ofrojë mundësi vajzave dhe djemve në mbarë vendin që të shfaqin talentin e tyre për basketboll, ashtu që një ditë t’i kthejnë ëndrrat e tyre në realitet”.
“Jemi shumë të lumtur që filluam partneritetin me Federatën e Basketbollit të Kosovës për të promovuar zhvillimin e basketbollit të të rinjve përmes startimit të ligës së parë Junior NBA në vend”, tha zëvendës-presidenti i NBA-së për Operacionet e Basketbollit për Evropë dhe Lindje të Mesme, Neal Meyer. “Rritja e pjesëmarrjes së djemve dhe vajzave është pjesë e misionit tonë për të promovuar vlerat e punës në grup, respektin dhe përfshirjen, duke frymëzuar dhe lidhur brezin e ardhshëm të lojtarëve dhe tifozëve përmes basketbollit”.
Junior NBA është program global i basketbollit për të rinjtë i ligës NBA, që iu mëson djemve dhe vajzave aftësitë themelore dhe vlerat thelbësore të lojës – punën në grup, respektin, vendosmërinë dhe komunitetin – në nivelin bazë, në përpjekje për të ndihmuar në rritjen dhe përmirësimin e përvojës basketbollistike të të rinjve për lojtarët, trajnerët dhe prindërit. Gjatë sezonit 2021-2022, Junior NBA do të përfshijë më shumë se 37 mijë të rinj nga 28 vende të Evropës dhe Lindjes së Mesme.
Për më shumë informata për Ligën Junior NBA të Kosovës, tifozët mund të vizitojnë jr.nba.com dhe të ndjekin Junior NBA në Facebook (Facebook.com/jrnba), Instagram (@jrnba) dhe Twitter (@jrnba).
Për Federatën e Basketbollit të Kosovës
Federata e Basketbollit e Kosovës është asociacion vullnetar i pavarur i klubeve dhe shoqatave të themeluara nga qytetarët, me qëllim të interesave të veçanta dhe përbashkëta në lëmin e sportit të basketbollit, duke luftuar diskriminimin në çfarëdo baze.
Federata e Basketbollit e Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Federata) është institucioni më i lartë i sportit të basketbollit në Kosovë për meshkuj dhe femra, që për veprimtari themelore e ka sportin e basketbollit dhe organizimin e të gjitha garave në të gjitha kategoritë dhe disiplinat e basketbollit. Federata është e organizuar në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit për sportin e Kosovës.
Themelimi i Federatës bazohet në parimet e shprehjes së vullnetit të lirë, mbrojtjes së interesave të sportit të basketbollit, sigurimit të drejtave të barabarta për të gjithë anëtarët dhe luftimit të diskriminimit në çfarëdo baze.
Për më shumë informata për Federatën e Basketbollit të Kosovës, tifozët mund të vizitojnë www.basketbolli.com dhe të ndjekin Federatën e Basketbollit të Kosovës në Facebook (Kosovo Basketball Federation), Instagram (@kosovobasketballfederation), Twitter (@kosovobasketballfederation) dhe Linkedin (@kosovobasketballfederation)
Për NBA-në
Shoqata Kombëtare e Basketbollit (NBA) është organizatë globale sportive dhe mediatike me misionin për të frymëzuar dhe lidhur njerëzit kudo nëpërmjet fuqisë së basketbollit. E ndërtuar me pesë liga sportive profesionale: NBA, WNBA, Liga NBA G, Liga NBA 2K dhe Liga e Basketbollit Afrikan, NBA-ja tashmë ka një prani të madhe ndërkombëtare me lojëra dhe programe, që ofrohen në 215 vende dhe territore, në më shumë se 50 gjuhë dhe mallra reklamuese për shitje, në më shumë se 200 vende dhe territore, në shtatë kontinentet. Listat e NBA-së në fillimin e sezonit 2021-22 paraqisnin një rekord prej 121 lojtarësh ndërkombëtarë nga 40 vende. Asetet e NBA Digital përfshijnë NBA TV, NBA.com, aplikacionin NBA dhe NBA League Pass. NBA-ja ka krijuar një nga komunitetet më të mëdha të medieve sociale në botë, me 2.1 miliardë pëlqime dhe ndjekës globalisht në të gjitha platformat e ligave, ekipeve dhe lojtarëve. Nëpërmjet NBA Cares, liga trajton çështje të rëndësishme sociale duke punuar me organizata të njohura ndërkombëtarisht për shërbimin e të rinjve që mbështesin arsimin, zhvillimin e të rinjve dhe familjes dhe çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin.