Nazmi Gripshi nuk është më pjesë e Ballkanit, edhe pse ai ka kontratë me klubin suharekas deri më 30 qershor.
Mesfushori durrsak do të largohet nga Ballkani pas katër viteve qëndrim në Suharekë, ku ka fituar të gjithë trofetë e mundshëm me Ballkanin.
26-vjeçari ka pasur një sezon fantastik dhe po pret të bëjë një hap para në karrierën e tij, pasi qëllimi është të luaj në një kampionat më të fortë evropian.
Telegrafi mëson se për Gripshin tanimë ka oferta nga elita e futbollit të Turqisë, Rumanisë, por edhe Polonisë.
Përveç tre shteteve të lartpërmendura, lojtarin e kanë kontaktuar edhe skuadrat më të mëdha në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Shqipërisë.
Telegrafi ka kontaktuar Gripshin i cili ka deklaruar se ka oferta të shumta dhe deri më 30 qershor do të vendos përfundimisht të ardhmen e tij.
“Kam oferta të shumta nga jashtë, por edhe brenda kufijve si të Kosovës, ashtu edhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”.
“Për momentin nuk dua të tregoj emrat e skuadrave, por vetëm mund të them se deri më 30 qershor do të mësohet emri i skuadrës në të cilën do ta vazhdoj karrierën”, deklaroi Gripshi për Telegrafin.
Mesfushori ofensivë ka falënderuar edhe Ballkanin për katër vite fantastike dhe shumë të suksesshme të kaluara në Suharekë.
“Kam kaluar vite të jashtëzakonshme me Ballkanin. Nuk do të harrojë kurrë këtë skuadër dhe sukseset e arritura. Do të mbajë gjithmonë në zemër këtë skuadër”.
“Dua t’i falënderojë të gjithë pa përjashtim që kanë punuar te Ballkani për këto vite të kaluara”, përfundoi Gripshi. /Telegrafi/