Telegrafi

Naumov – Hoxha: Kompanitë të njoftojnë për çdo trysni ndaj tyre

Zv. ministri plotësues i financave, Kire Naumov, ka realizuar një takim me Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ku është pritur nga drejtori ekzekutiv i kësaj ode, Nebi Hoxha, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Bashkëbiseduesit kanë folur për gjendjen e tanishme politike dhe problemet me të cilat përballen kompanitë që janë të lidhura me përgjegjësitë e Drejtorisë së të ardhurave Publike dhe Drejtorisë doganore.

Zv. ministri Naumov u ankua se Ministria e financave nuk i lejon qasje në dokumentacionin e kërkuar, duke shtuar se fshehen të dhëna nga drejtoritë e lartëpërmendura, që sipas tij, nënkupton se ka probleme me çështjet ekonomike të vendit.

Palët kanë propozuar masa konkrete për pengimin e keqpërdorimeve të mundshme nga ana e organeve shtetërore të financave në zgjedhje, ndërkaq u bënë thirrje kompanive që të paraqesin çfarëdo keqpërdorimi, trysnie, dhe parregullsie në zbatimin e ligjeve./Telegrafi/