Krerët e Shteteve dhe të Qeverive anëtare të Aleancës Veriatlantike (NATO) në Samitin e Varshavës kanë bërë të ditur se deri në takimin ministeral të dhjetorit do të vendosin për fuqizimin e raporteve me Kosovën.
Kjo ka pasuar letrën që kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka dërguar sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku ka kërkuar fuqizimin e bashkëpunimit më NATO-n.
Ky qëndrim është bërë i ditur në komunikatën zyrtare të lëshuar pas takimit të Këshillit të Aleancës Veriatlantike, ku ishin të pranishëm udhëheqësit e 28 shteteve anëtare, përfshirë edhe presidentin amerikan Barack Obama.
Në komunikatën zyrtare, ndër të tjera, theksohet se NATO është në dijeni të kërkesës për të fuqizuar marrëdhëniet me NATO-n dhe se përgjigjja do të jepet jo më vonë se në Ministerialin e Jashtëm të Dhjetorit.
“Ne jemi në dijeni të kërkesës së Kosovës për të fuqizuar marrëdhëniet me NATO-n dhe do t’i përgjigjemi jo më vonë se në Ministerialin e Jashtëm të Dhjetorit për mënyrat e zhvillimit të përkrahjes sonë të mëtejme”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.
Kryeministri Isa Mustafa i ka dërguar letër më 19 nëntor 2015, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ku ka kërkuar fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës.
Në këtë letër, ndër të tjera, kryeministri Mustafa ka propozuar që Kosova të vendos dialog të rregullt politik me NATO-n në nivelet më të larta politike dhe institucionale, hapjen e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Selinë e NATO-s në Bruksel si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s.
Në komunikatën e Samitit të Varshavës, po ashtu, mirëpriten aspiratat e Kosovës për avancimin e aftësive për të ofruar siguri për të gjithë banorët e saj dhe për të kontribuuar për sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë paraqitjeve të fundit mediale, kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, përveç liberalizimit të vizave, ka rëndësi të madhe edhe për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO. /Telegrafi/