Kryeministri britanik David Cameron ka deklaruar se, Londra do të dërgojë një anije të flotës së saj ushtarake detare në ujërat e detit Egje, në kuadër të misionit të NATO-s për të frenuar valën e refugjatëve, që po ndihmohen nga trafikantët drejt hyrjes ilegalisht në vendet e BE-së.
Anija amfibe “Mounts Bay” me helikopterë në bord, e shoqëruar nga anije patrullimi dhe anije civile do të patrullojnë ujërat detare mes Turqisë dhe Greqisë për të eliminuar grupet e trafikantëve, që po mundësojnë mijëra refugjatë të hyjnë në vendet e BE-së.
Anijet e NATO-s në këtë mision do të udhëzohen të kthejnë mbrapsht në Turqi emigrantët e kapur dhe jo t’i dërgojnë ata në Greqi. Udhëheqësit e BE-së, të mbledhur në samitin urgjent të Brukselit, shpresojnë se prania e anijeve të NATO-s nuk do të shërbejë si magnet dhe emigrantët nuk do të inkurajohen të ndërmarrin udhëtimin nëpër det, me shpresën se anijet e NATO-s do t’i shpëtojnë dhe do t’i zbresin në brigjet e ndonjë shteti të BE-së.
NATO do të duhet të shpjegojë sesi një mision detar do të mund të luftojë në mënyrë të suksesshme grupet e trafikantëve, të cilët rrallë bëjnë vet transportin e emigrantëve, duke përzgjedhur që të qëndrojnë vet në Turqi dhe në vend të saj u ofrojnë emigrantëve ulje çmimi, nëse emigrantët bëjnë vet edhe rolin e skafistit, transmeton tch.
Sugjerohet se, nga takimi i 28 krerëve të shteteve të BE-së do të konkludohet që i ashtuquajturi “korridor i Ballkanit”, nga Greqia për në BE, tashmë është i mbyllur. Por nuk dihet sesi do të zgjidhet ky problem në një plan afatgjatë, i cili konsiderohet si sfida më e madhe e BE-së në dekadat e fundit.