Në Poloni dhe vendet baltike sot kanë nisur ushtrimet ushtarake të krahut lindor të NATO-s, në të cilat po marrin pjesë rreth 18 mijë ushtarë nga 19 vende, kryesisht anëtare të Aleancës Veri-atlantike.
SHBA komandon me batalionin multinacional të NATO-s në Poloni, derisa Kanadaja, Britania e Madhe dhe Gjermania janë në krye të batalioneve të ngjashme të vendosura në vendet baltike, Lituani, Letoni dhe Estoni, ku janë duke u mbajtur manovrat, transmeton KosovaPress.
Ky është numri më i madh i ushtarëve në manovra që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë dhe ka për qëllim të inkurajojë vendet evropiane aleate të SHBA-së në lindje, të cilat janë të brengosura për shkak të manovrave të shpeshta ruse në afërsi të kufijve të tyre dhe për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Ushtrimet vjetore Saber strike organizohen për herë të tetë dhe mbahen nga sot e deri më 15 qershor.
Ato po mbahen në momentin kur Polonia paralajmëroi të jetë nikoqir i përhershëm i trupave të kontingjentit amerikan, ashtu sikurse kishte vepruar Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.