Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se Rusia me sjelljen e saj agresive ndaj Ukrainës dhe me shkeljen e ligjeve ndërkombëtare ka krijuar një realitet të ri, mirëpo NATO-ja, sipas tij, nuk dëshiron që të përfshihet në një tjetër Luftë të Ftohtë.
“NATO-ja ka një qasje të dyfishtë, frikësimin dhe dialogun. Nuk është jokonsistente, por një politikë e tillë është më e mira për t’i qasur Rusisë. Mesazhi ynë për Rusinë është i qartë, nuk duam Luftë të Ftohtë. Lufta e Ftohtë i takon së kaluarës dhe duhet të mbetet pjesë e historisë”, ka thënë ai për të përditshmen vjeneze “Kurier”, transmeton KosovaPress.
Stoltenberg ka thënë se NATO-ja mban komunikim me Rusinë, mirëpo ka shprehur shqetësimin e tij me ngritjen e mburojave të reja ushtarake ruse përreth Rusisë, nga Kalingradi deri në Siri e Mesdhe.
“Për këtë arsye NATO-ja ka shtuar praninë ushtarake në Lindje të Evropës. Strategët tanë kanë parashtruar propozimet për ndërrimet me rrotacion të batalioneve për operim të NATO-s në këto regjione”, ka thënë ai.
Stoltenberg ka shtuar se NATO-ja nuk dëshiron konflikt, por ka qasje defensive dhe është gjithmonë e gatshme të mbrojë aleatët e saj nga kërcënimet e mundshme. /Telegrafi/