Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, ambasadori amerikan Alexander Vershbow, akuzoi sot Rusinë se ka komplikuar përpjekjet për një zgjidhje në Siri duke bombarduar forcat e opozitës së moderuar ndaj regjimit të Damaskut.
“Meqë Rusia i ka ofruar një nivel më të lartë të mbështetjes ushtarake presidentit Asad, përfshirë këtu bombardimet ndaj grupeve të opozitës së moderuar dhe duke larguar mijëra civilë nga Alepoja dhe qytete të tjera, ajo e ka bërë edhe më të vështirë kërkimin e një zgjidhje afatgjatë ndaj dhunës, të një paqe të negociuar dhe të tranzicionit politik”, theksoi Vershbow në Krakovi, gjatë një konference të organizuar nga Instituti polak për Studime Strategjike, transmeton kp.
Duke shprehur shpresën se armëpushimi aktual mund të transformohet në diçka më të qëndrueshme, përgjegjësi i NATO-s vlerësoi se “Rusia mund të përdorë ende influencën e saj mbi Asadin dhe të bëhet një forcë paqeje në Lindjen e Mesme (…) por objektivi final i Moskës vazhdon të mbetet i paqartë”.