Telegrafi

NATO-ja do t’i mbajë trupat në Kosovë

Në fjalimin e tij të hapjes sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, tha se organizata ishte e angazhuar për të ruajtur qëndrueshmërinë në rajon dhe se do të veprojë me vendosmëri kundër atyre që përdorin dhunë.

NATO ka tani rreth 16 mijë trupa në Kosovë. Ministrat e Jashtëm pritet të bien dakord që ato të qëndrojnë atje.

Ndërsa bisedimet Prishtinë-Beograd përfunduan pa marrëveshje burime të NATO-s thonë se ato shpresojnë se angazhimi për t’i mbajtur trupat atje do të ketë një ndikim qetësues.

Tani pritet që gjatë vitit të ri Kosova të shpallë pavarësinë – një hap që kundërshtohet nga Serbia dhe Rusia.

Takimi do të jetë gjithashtu një mundësi për të provuar marrëdhëniet midis NATO-s dhe Moskës ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, pritet të vizitojë selinë e NATO-s për herë të parë që kur presidenti Vladimir Putin nënshkroi ligjin për pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në Traktatin që kufizon Forcat Konvencionale në Evropë.

Në fakt e ardhmja e Kosovës do të jetë një nga çështjet që mund të ngrihen kur ministri i Jashtëm rus të bashkohet me homologët e tij të NATO-s.

Zyrtarët e NATO-s thonë se nuk presin ndonjë përparim në fushat ku ka mosmarrëveshje me Rusinë por ata thonë se do të ndjekin me kujdes sinjalet që do të dërgojë Lavrov. /bbc/