Telegrafi

NATO hedh poshtë akuzat e Putinit

NATO hodhi poshtë sugjerimet e presidentit Vladimir Putin se forcat e Aleancës Veri-atlantike në Evropën Lindore përbëjnë kërcënim për Rusinë.

Organizata më e fuqishme ushtarake në botë tha se këto trupa nuk mund të krahasohen me forcat e vendosura nga Moska në tre vende fqinje, në kundërshtim me dëshirën e autoriteteve të këtyre vendeve.

“Veprimet e NATO-s janë mbrojtëse, proporcionale dhe në përputhje të plotë me detyrimet tona ndërkombëtare. NATO ka dërguar 4.000 trupa në pjesën lindore të Aleancës me qëllim të dekurajimit të një agresioni të mundshëm. Si kontrast, Rusia ka trupa në Ukrainë, Gjeorgji dhe Moldavi, kundër dëshirës së qeverisë së tyre”, tha Oana Lungescu, një zëdhënëse e NATO-s.

Putin tha më parë se NATO po e lëviz infrastrukturën e saj ushtarake afër kufirit rus dhe se Rusia, si përgjigje, duhet të forcojë infrastrukturën e saj. Ai gjithashtu tha se NATO refuzon të diskutojë me Rusinë vendosjen e rregullave të fluturimeve ushtarake.