Delegacioni i Maqedonisë së Veriut në Samitin e NATO-s, në Londër, do të ulet në të njëjtën tavolinë me kryetarët e vendeve anëtare të Aleancës. Delegacioni i Qeverisë, i udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, sot do të marrë pjesë në Samitin e Londrës, ku do të shënohet 70 vjetori i themelimit të Aleancës.
Në përbërje të delegacionit qeveritar gjendet zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.
Pjesa qendrore e këtij programi është Takimi i Këshillit Veritatlantik i kryetarëve të shteteve apo qeverive. Në ditën e dytë të Samitit (nesër), do të marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev, me çka Maqedonia e Veriut, do të përfaqësohet në nivelin më të lartë në punën e trupave të Aleancës.
Në mbledhjen e Këshillit Veriatlantik, është paraparë konferencë për shtyp e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Kryeministri Zaev, në ditën e parë të Samitit do të marrë pjesë edhe në panelin “Biseda-Mbrojtja dhe parandalim në epokën e re”, në kuadër të konferencës “NATO angazhohet: Inovimi i Aleancës”, (“NATO Engages: Innovating the Alliance”). Krahas kryeministrit Zaev, në këtë panel, fjalim do të mbajë edhe presidenti i Polonisë, Andzhej Duda.
Zaev dhe anëtarët e delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjatë samitit dyditor të NATO-s në Londër, do të zhvillojnë edhe më shumë takime bilaterale.
Po ashtu kryeministri Zaev, është ftuar edhe në takim tek Mbretëresha Elizabeta, në Pallatin e Bakingamit, i cili parashihet për të gjitha delegacionet, në nder të takimit të liderëve të NATO-s, si dhe në darkë të kryetarëve të shteteve/qeverive të cilën e organizon kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson.
Ndryshe, vetëm edhe Spanja ka mbetur ta ratifikojë Protokollin. Deri më tash një gjë e tillë nuk është realizuar pasi që në këtë shtet anëtar të NATO-s, në fillim të këtij muaji u zhvilluan zgjedhjet parlamentare, por ende nuk është formuar Qeveria dhe Parlamenti. Pas ratifikimit të Protokollit nga Spanja, zyrtarizimi i anëtarësimit në NATO, duhet të bëhet edhe në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, ende nuk dihet se një gjë e tillë do të bëhet para apo pas zgjedhjeve të 12 prillit.
Partitë politikë në vend njëzëri janë të pajtuar se – anëtarësimi në NATO është qëllim strategjik numër një dhe askush deri më tash nuk ka shprehur dilema. Megjithatë, mosmarrëveshjet mes krerëve politikë në Maqedoninë e Veriut, kanë të bëjnë me atë nëse Parlamenti, në kohë zgjedhjesh mund ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim në NATO.
Në këtë drejtim, kryeparlamentari Talat Xhaferi, mbetet në qëndrimin se pasi të shpërbehet Parlamenti, i njëjti nuk mund të mbajë seancë përsëri për ratifikim eventual të Protokollit për në NATO.