Ministrat e Jashtëm të NATO-s pritet të zhvillojnë sot një takim dyditor në Bruksel, ku do të diskutojnë çështje të rëndësishme, përfshirë atë të Koresë së Veriut dhe Rusisë.
Ky takim zhvillohet një javë pas testimit të një rakete balistike nga Pheniani, e aftë për të goditur gjithë territorin amerikan.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi dje se NATO dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të ushtrojnë presion maksimal ndaj regjimit të Koresë së Veriut sepse përshkallëzimi i tensioneve mund të çojë në pasoja katastrofike.
Për Rusinë, aleatët pritet të diskutojnë strategjinë e tyre dypalëshe të parandalimit dhe diplomacisë, pasi konflikti në pjesën lindore të Ukrainës mbetet i pandryshuar.
Gjithashtu, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të zhvillojnë diskutime mbi bashkëpunimin NATO-BE, luftën kundër terrorizmit dhe zgjerimin e mundshëm të aleancës me Maqedoninë, Gjeorgjinë dhe Bosnje-Hercegovinën.
Takimi do të mbahet mes spekulimeve se sekretari amerikan i Shtetit , Rex Tillerson së shpejti do të shkarkohet nga detyra, pas raportimeve të medias amerikane javën e kaluar se Tillerson do të zëvendësohet nga drejtori i CIA-s, Mike Pompeo në javët në vazhdim.
Stoltenberg hodhi poshtë idenë e largimit të Tillerson nga kabineti i presidentit amerikan, Donald Trump duke shtuar se ministrat e NATO-s do të përqendrohen në detyrat kryesore, pavarësisht spekulimeve të medias amerikane.
Përpara takimit të NATO-s, Tillerson do të zhvillojë një takim jozyrtar me homologët e tij të BE-së.