Natalie Portman do t’i kthehet sagës “Thor” dhe atë në një status më përvetësues. Ajo do ta luajë versionin femëror të hyjnisë nordike të rrufeve dhe vetëtimës – shkruan Sky News.
Lajmi ka ardhur pasi Marvel Studios publikoi listën e superheronjve për filmat e rinj, në të cilën përfshihen edhe Angelina Jolie (në filmin “The Eternals”), fituesi i Oscarit, Mahershala Ali (në “Blade”) e Scarlett Johansson (në “Black Widow”).
Portman do ta përsërisë rolin e karakterit të saj Jane Foster në filmin “Thor”, por në vazhdimin e ri do ta marrë ‘çekanin hyjnor’, i cili do ta bëjë hyjni të bubullimës.
Në vazhdimin e ri do të paraqiten po ashtu edhe Chris Hemsworth (që luan rolin e Thor) dhe Tessa Thompson (që portretizon Asgardian Valkyrie).
“Thor: Love And Thunder” do të nisë shfaqjen nëpër kinema në nëntor të vitit 2021. /Telegrafi/