Site icon Telegrafi

Natali Velija mbetet në burg, i refuzohet lirimi me kusht (Dokument)

 

E dënuara kryesore e skandalit me pasaporta, Natali Velija do  të mbetet në burg edhe për një kohë.

Kjo pasi Paneli për Lirim me Kusht ka refuzuar kërkesën e saj për lirim.

IndeksOnline ka siguruar vendimin e Panelit për Lirim me Kusht, në të cilin  jepen arsyetimet e refuzimit të kërkesës së shtetases gjermane.

Ky vendim është marr më 25 janar të këtij viti, dhe në arsyetimet e tij, thuhet se pesha e rëndë e veprës penale dhe masa disiplinore e shqiptuar ndaj Natali Velijajt gjatë qëndrimit të saj në burg, janë rrethana për të cilat paneli vlerëson se është ende herët që të konstatohet lirimi me kusht.

Po ashtu, sipas këtij paneli ende nuk është arritur qëllimi i ekzekutimit të sanksionit penal.

Sipas aktvendimit të Panelit për Lirim me Kusht e dënuara Natali Velija ka të drejtën e rishqyrtimit për lirim me kusht në afat prej 12 muajve.

Velija, e cila vuan dënimin në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ishte arrestuar në nëntor të vitit 2012 nga policia e EULEX-it,  pasi dyshohej se si pronare e  firmës “Consulting EU Sh.p ,kishte  përvetësuar rreth 1, 4 milion euro, mjete këto që do të duhej  t’ia transferonte ndërmarrjes austriake “Österreichische Staatsdruckerei” (OeSD), e cila kishte prodhuar pasaportat e Kosovës.

Që nga ajo kohë, e deri tash janë bërë rreth katër vjet nga qëndrimi i saj prapa grilave.

Në dhjetor të vitit 2014,  pas një procesi gjyqësor,  Velija dënohet nga Gjykata Themelore e Prishtinës me 12 vjet burgim, dënim ky i cili u zbrit nga Gjykata e Apelit në 8 vjet burgim dhe gjobë prej 25mijë eurove.

Ajo akuzohej nga një prokuror i Eulex-it në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës për nëntë vepra penale, përfshi krimin e organizuar, pastrimin e parave, vjedhjen e rëndë, mashtrimin, shmangien nga tatimi, shpërdorimin, keqpërdorimin e besimit, falsifikimin dhe rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Përveç saj, në këtë rast ishte dënuar edhe bashkëpunëtori i ngushtë e Veliajt, Fisnik Blakaj, i cili nga 11 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, ky dënim i ishte zbritur në 6 vjet nga Apeli dhe  gjobë prej 25 mijë eurove.

Dënimit nuk u kishin shpëtuar as vëllai i Fisnikut, Betim Blakaj, i cili ishte dënuar më 1 vit burgim dhe 3.000 euro gjobë, Ergyn Dogani me 5 vjet burim dhe 15 mijë euro; Imer Fazlia me 2 vjet burgim dhe gjobë prej 8.000 eurosh, kurse Nazmi Thaçi me 1 vit burgim dhe 5.000 euro gjobë.

 

Ndërkaq, Jakup Blakçori dhe Sefedin Shala ishin shfajësuar nga veprat penale, të cilat rëndonin mbi ta.

Exit mobile version