Telegrafi

Nata pa Hënë në festivalin e filmit të Evropës Juglindore

Emigracioni dhe dramat që mbart ai, është subjekti i filmit “Nata pa hënë”, i cili është pjesëmarrës në festivalin e filmit për Evropën Juglindore që organizohet në Los Anxhelos në datat 30 prill deri në 5 maj. I vlerësuar dhe më parë në aktivitete të tjera, si në festivalin e filmit të New Jerseyt për filmin më të mirë të huaj në vitin 2005, apo si filmi më i mirë në festivalin e filmit mesdhetar në Itali 2004, regjisori i filmit Minarolli, është i kënaqur për pjesëmarrjen në festivalin e LA këtë vit.

Temat sociale dhe të përditshmërisë shqiptare, janë ngacmime për krijimtarinë dhe shërbejnë si muza frymëzuese për regjizorin Minarolli. Projekti i tij më i ri është për një tjetër plagë therëse në shoqërinë shqiptare, e pikërisht për gjakmarrjen.

Kinemaja shqiptare e vendosur përpara rregullave të reja të tregut, ka vite që ngre problemin e financimeve të pamjaftueshme. Për këtë çështje Minarolli thotë se ideja dhe përgatitja e një materiali dhe skenari, është po aq i rëndësishëm sa dhe gjetja e fondeve.

‘Natë pa hënë” filmi pjesëmarrës në festivalin e LA u shfaq të dielën përpara jurisë dhe publikut kalifornian, duke rrëfyer përmes artit të regjisorit Minarolli një pjesë të dramës shqiptare të emigrimit, e cila riciklon nëpër breza histori të trishta, dhimbjeje, malli dhe dashurie për njerëzit e dashur lënë atje larg. /VoA/