Telegrafi

“Nata e Zjarreve” në Prekaz, të gjithë në nderim të familjes Jashari (Foto)

E plotësuar: Në përmbyllje 21 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, menjëherë pas ndezjes së flakadanëve në memorialin, “Adem Jashari” në Prekaz, komuna e Skenderajt ka mbajtur koncertin tradicional festiv për të nderuar veprën e familjes Jashari.

Në mesin e shumë qytetarëve që kishin ardhur për të ndjekur këtë koncert, u panë dhe përfaqësuesit e familjes Jashari, Rifat Jashari dhe Bekim Jashari njëherësh kryetar i Skenderajt.

Gjithashtu dhe ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetar komunash dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.

Sheshi, “Adem Jashari” në Skenderaj ishte i vogël për gjithë qytetarët që kishin ardhur për këtë koncert, pasi një pjesë e tyre kishin gjetur alternativa jashtë sheshit për të qenë pjesë e këtij koncerti. Ndryshe pranë të rënëve të luftës së zhvilluar më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për tre ditë qytetarë të shumtë vendosen lule dhe nderuan dëshmorët e kombit.

***

Në Prekaz të Skenderajt ka filluar manifestimi “Nata e Zjarreve”.

Dhjetëra djem të veshur me uniforma të UÇK-së kanë bartur në dorë flakadanët që simbolizojnë fillimin e “Natës së Zjarreve”

Ata pas ndezjes së flakadanëve kanë nderuar të rënët e Jasharajve në Prekaz dhe tek kulla e komandantit legjendar Adem Jashari.

Ky manifestim është i treti me radhë dhe i fundit për nder të “Epopesë së UÇK-së” që fillon më 5 mars, pikërisht ditën kur më 5 mars 1998 ka filluar beteja mes Jasharëve dhe policisë dhe ushtrisë serbe./Telegrafi/