“Paqja” e Tadicit dhe kondicioni i Borko Stefanovicit
Boris Tadic, president i Serbisë kriminale është kriminel demokrat! Shpresoj se nuk kam nevojë t’i radhis shumë argumente për t’ju bindur se Serbia është shtet i kriminalizuar. Mjafton të them se regjimi kriminal i Serbisë ishte përgjegjës për të gjitha luftërat dhe të gjitha krimet në hapësirën e ish Jugosllavisë. Nga Vukovari në Kroaci, Srebrenica në Bosnjë deri te Prekazi, Meja, Lybeniqi, Theranda etj., në Kosovë. Nuk duhet të harrohet se regjimi kriminal i Serbisë e ngjizi, e lindi dhe po e rrit një krijesë fashiste të quajtur Republika Serbska, si rezultat i një spastrimi etnik, pasi ka masakruar myslimanë të Bosnjës! Të njëjtin monstrum paramilitaro – parapolitik po e përdor edhe sot si kërcënim për sigurinë dhe paqen në Ballkan duke e shantazhuar edhe Republikën e Kosovës.
Ky regjim kriminal serb është vetëm vazhdimësi e regjimeve kriminale serbe që për më tepër se 100 vite kanë terrorizuar dhe masakruar shqiptarët në Kosovë dhe viset tjera ku kanë jetuar shqiptarët! Në territoret e spastruara etnikisht nga shqiptarët e kanë ndërtuar shtetin e tyre kriminal. Po ky regjim kriminal i kriminelit demokrat Boris Tadic po përpiqet ta klonojë Republika Serbsken në Kosovë. Me anë të “ revolucionit të trungjeve – balvan revolucija”, të cilin për herë të parë e patën përdorë në Kroaci. Dhe duke shantazhuar misionet ndërkombëtare. Në Bosnjë i patën lidhur ushtarët ndërkombëtarë në shtylla elektrike apo të urave, duke i poshtëruar skajshmërisht! Ju kujtohet se sa i lumtur ishte gjenerali holandez në Srebrenicë kur krimineli Ratko Mladic i bëri të ditur se atij qyqari dhe ushtarëve të tij po ua fal jetën në kohën kur paralelisht me këtë i ndante fëmijët, burrat dhe pleqtë myslimanë, për t’i masakruar më shumë se 8.000 myslimanë të Srebrenicës! I njëjti model, por në përmasa më të vogla u përdor në vitin 2000 në Mitrovicën e okupuar nga kriminelët serbë dhe politika kriminale e Beogradit, ku në praninë e ushtarëve francezë të KFOR-it u vranë 11 shqiptarë, ndërsa u shpërngulën me dhunë 13.800 qytetarë të Mitrovicës. Mbi bazat e këtij spastrimi etnik u ngritën rojat e urës dhe strukturat paralele kriminale serbe që zbatonin politikat e Koshtunicës, Djindjic , Seselit, Legisë, Tadicit, Nikolicit dhe ‘icëve’ të tjerë. Praktikisht, që nga përfundimi i luftës e deri më 25 korrik 2011, veriu i Kosovës ishte Serbi. Më Serbi se vet Serbia! Ushtarët holandezë të SFOR-it në Srebrenicë dhe ushtarët francezë të KFOR-it në Mitrovicë kanë qenë përgjegjës për jetët e qytetarëve që kanë qenë nën mbrojtjen e tyre. Pasi që nuk i kanë mbrojtur ata janë bashkëpërgjegjës për krimin, si në Srebrenicë, ashtu edhe në Mitrovicë! Mbi krimin në Srebrenicë është ngritur Republika Serbska, ndërsa mbi krimin në Mitrovicë po bëhen përpjekje të ngritet Republika Serbska tjetër! Trungjet në “balvan revolucija” në Kroaci, vend ku është bërë zbatimi apo prova e parë dhe pengesat tjera janë fshirë nga kroatët dhe aleatët për dy ditë! I njëjti model i “revolucionit të trungjeve” në Kosovë, i ndërtuar nga Tadici, Cvetkovici, Ivanovici, Bogdanovici, Stefanovici, ivanovicët (Oliveri dhe Markoja ), Jaksici, politikani me kryq dhe kamillaf Teodosije po ruhet dhe mirëmbahet nga EULEX (çfarë paradoksi ky është akronim për Misionin për Sundim të Ligjit) dhe pjesërisht edhe me “besën” e dhënë nga gjenerali Buehler! Dhe këto trungje dhe pengesa tjera po bëhen përcaktues për fatin e veriut duke ngritur në këmbë të gjithë faktorët vendimmarrës. Partneri i Editës, Borko Stefanovic, e ka zëvendësuar komoditetin e shtratit ku flenë me ashpërsinë e trungjeve, rërës dhe gurëve! Tërë kohën po flet për domosdoshmërinë e vazhdimit të bisedimeve për zgjedhjen e problemeve. E ka vetëm një kusht të vogël; kthimi në gjendjen para 25 korrikut!
Në kohën kur kjo pjesë ka qenë “tokë e premtuar” për kriminelët e të gjitha llojeve dhe të gjitha përkatësive etnike si dhe të atyre politike! Serbia nuk po e do shtetin e Kosovës, por po i do eurot e këtij shteti! Çfarë imoraliteti! Edhe ne, po e shohim se çka po dëshiron të bëjë Serbia me shtetin tonë dhe përsëri po e blejmë mallin e Serbisë! Sa të pafytyrë që jemi! Botërisht po i kallim dy- tri kuti ‘Pllazma’, dhe një kuti biber nga ‘Horgoshka paprika’, ndërkaq tinëzisht bëjmë tregti me qindra miliona euro! Sa “ patriotë “ që jemi! Tërë kohën bëjmë “patriotizëm” nëpër kafene, bastore dhe duke vrapuar pas fundeve dhe në anën tjetër e shajmë EULEX-in pse nuk po vdes për lirinë tonë! Për tokën tonë! Njëmend EULEX është i poshtër! Pastaj, lëshojmë klithma “ patriotike”: “Amerikë mos na lë në mëshirën e EULEX”! Definitivisht e kemi goditur Amerikën në “ thembrën e Akilit”! Tash Amerika do të përmbushë kërkesat e kosovarëve! Do ta përzë EULEX-in nga Kosova dhe do ta çlirojë veriun e Kosovës! Për hir të kërkesës së kosovarëve që i do aq shumë! Pastaj, në skenë do të dalin “çlirimtarët” kosovarë dhe në krye me të Madhin Behgjet Pacolli do të marshojnë drejt veriut!
“Miku” im i madh, Behgjet Pacolli është shumë i mençur! Nuk hy ‘llugave’, pa sakicë! Para disa muajve ka qenë në veriun e Mitrovicës për të vëzhguar terrenin dhe pastaj i ka dorëzuar Hashim Thaçit strategjinë për integrimin e Veriut. Në këtë rast unë jam me Pacollin dhe nëse Pacolli i kthehet politikës duke u bërë president i Koalicionit për Kosovë të Re seriozisht do ta shqyrtoj mundësinë të bëhem pjesë e këtij subjekti të fuqishëm politik! Se a do të bëhem anëtar i këtij koalicioni të fuqishëm më nuk e vendos Behxheti, por Behgjeti!
Besa e Buehlerit dhe Kanuni i Lekës
Gjenerali Buehler duket se është i lidhur me Kosovën! Emocionalisht dhe faktikisht! Është bërë tradicionalist! Në pamundësi të zbatimit të ligjit i është kthyer interpretimit dhe zbatimit të të drejtave zakonore. Në përputhje me ambientin ku jeton, punon dhe “vepron” është përcaktuar për zbatimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit, ndonëse, nëse merren parasysh rrethanat që janë krijuar lirisht ndaj disave ka mundur të përdorë kodet “etike” të pllakave të Hamurabit! Gjenerali Buehler është treguar humanist i vërtetë! Kriminelëve që po bllokojnë rrugët dhe që kanë vrarë policët e Kosovës nuk po i lë pa besë! Në fakt, po ua vazhdon besën! Nga e premtja në të shtunën! Ua ka vazhduar besën për tetë ditë të plota! Që të kenë mundësi të vazhdojnë biznesin e tyre, kontrabandën, bllokimin e rrugëve tjera, krimin e organizuar dhe vrasjen e policëve apo qytetarëve të mbetur shqiptarë! Duket se gjenerali Buehler nuk e ka kuptuar Kanunin e Lekës apo i kanë përkthyer keq! Mund që në vend të Kanunit të Lekës dikush t’i ketë kontrabanduar Naçertanijen e Garashaninit apo Elaboratet e Ivo Andricit! Madje, Buehler e ka mësuar edhe lojën e cic-micit. Po ua bën dong serbëve duke hapur rrugë dytësore, tretësore… në ndërkohë që serbët i kanë bërë shylevek Buehlerit duke bllokuar rrugët kryesore! Shumë lojë do t’i mësojë dhe luajë Buehleri në Kosovë për këto pak ditë të mbetura të mandatit të tij!
A po bëhet Jarina sikur Janina dhe Mitrovica si Çamëria
Jakupi, Valoni, Bardhoshi dhe Agoni, si ideologë të bashkimit kombëtar, me nostalgji e kujtojnë Vilajetin e Janinës dhe i mbajnë hartat kur në Janinë është frymuar, jetuar dhe vdekur shqip! Tash aty jetohet, frymohet dhe vdiset greqisht! Nga kjo histori e kaluar na kanë mbetur vetëm këngët e bukura, “Janinoooo” dhe “Vaj e Mall për Çamërinë”! Pas bisedimeve të imponuara “ teknike” kam frikë se do të detyrohemi t’i këndojmë këngët :” Jarinooo” dhe “ Ko to Kazhe, Ko të Lazhe Mitrovica je Malla”! Me sopranon Edita (jo Mihali) Tahiri në krye!
Nuk ka mbaruar Gjakova që të ndahet Kosova
Është krijuar një situatë kur ndarja e Kosovës po shqyrtohet si një mundësi reale apo si përfundim i një “marrëveshjeje historike” midis shqiptarëve dhe serbëve! Si kompromis i pranueshëm për “miqtë” tanë grekë, sllovakë, rusë, qipriotë, rumunë dhe spanjollë. Besa edhe do “miq” francezë, norvegjezë, suedezë, anglezë, italianë etj. Nuk do të kundërshtonin këtë “marrëveshje” me kusht që të konsiderohet si incident i izoluar! Me një fjalë, t’i merret një 30-40% i territorit të Kosovës, ndërkaq të ruhet tërësia territoriale e Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe shteteve të tjera! Serbia, sipas ligjeve të fizikës dhe të forcës do të bymehet apo rritet! Madje, edhe me këtë ndarje konsiderojnë se Serbia po dëmtohet! Po, si humanistë të mëdhenj që janë duan t’i bëjnë edhe një të mirë Kosovës dhe shqiptarëve! Po duan ta riciklojnë Kongresin e Berlinit! Në fakt, asnjëherë nuk kam pasur frikë se do të ndahet Kosova! Se do të ndryshojnë kufijtë e jashtëm. As tash nuk kam fare frikë! Ndarjen e Kosovës e ka promovuar Djindjici, kryeministri i ekzekutuar serb ndërkaq, me urdhër të Tadicit e ka aktualizuar dhe popullarizuar “irredentist” dhe “ luftëtari” për Shqipëri të Madhe, Ivica Dacic!
Në të vërtetë, ndarja e Kosovës ka qenë vetëm bllof , mashtrim apo balon provues i Serbisë ndërkaq që qëllimi ka qenë krijimi i një entiteti politik dhe etnik serb brenda Kosovës në formë të Republika Serbska. Për shkak të efektit domino në rajon dhe mundësisë reale të destabilizimit të tij, përjashtohet ndarja e Kosovës ! Pra, nuk pranohet rivizatimi i kufijve të jashtëm i shteteve të Ballkanit, por që nuk nënkupton se nuk mund të bëhen zgjidhje “kreative”, më demokratike se mbi çdo demokraci, Ahtisaari plus, Kostunica minus, Ashton në katror etj., etj. Por, definitivisht stacioni i fundit i këtyre allishverisheve politike do të jetë një status special për serbët në veri dhe pipëzat e tyre në Shtërpcë, Graçanicë dhe komunat, fshatrat, lagjet e decentralizuara serbe! Aty ku valon flamuri i Serbisë do të ketë status special! Dihet botërisht se ky flamur i shtetit armik valon lirisht në ndërtesat e institucioneve të Republikës së Kosovës në komunat me shumicë serbe apo në ato që janë të decentralizuara! Miqve ndërkombëtarë kjo nuk u ka penguar ndërsa politikanët e vendit i kanë konsideruar si një të keqe të domosdoshme, pa të cilën nuk kanë mundur ta mbajnë pushtetin! E hidhur por e vërtetë! Në fund të fundit edhe faktorët më vendimmarrës botërorë po garantojnë mosndryshimin e kufijve të jashtëm! Por asgjë nuk po flasin për rivizatimin e kufijve të brendshëm apo statusin e strukturave paralele serbe! Ata po bisedojnë me Serbinë ndërsa kosovarëve po ua tregojnë tërë shkopin dhe vetëm bishtin e karotës! Karotën e kanë lënë në Beograd! Te Tadici, krimineli demokrat që me të e ushqen Bogdanovicin, Ivanovicin dhe Stefanovicin, duke ua ruajtur kondicionin si dhe popullin e “ uritur” serb që ka pësuar për shkak të sanksioneve ekonomike që ka zbatuar Kosova! Prandaj, edhe po luftuakan, si popull paqësor (a ka Zot diku) që qenkan për realizimin e qëllimeve të tyre!
Hashimi, Behgjeti dhe Nastradini
Askush nuk ka bërë më tepër për integrimin e serbëve se Hashimi. Madje, edhe nëse i bën bashkë me Veton e me Baton, me Ylber e me Beter, me Boban e me Dragan, me Stojan e me Milan, me Afërditë e me Editë, me Dragicë e me Milicë nuk kanë bërë sa kryeministri i Kosovës. Aferim i qoftë! Nëse e do shtetin, e mohon veten! Adem Demaçi dhe Behxhet Shala, menjëherë pas luftës përpiqeshin t’i integronin serbët dhe cilësoheshin si tradhtarë, sepse donin ta rikolonizojnë Kosovën me armiq serbë në kohën kur patriotët e çiftelisë që na shanin bënin miliona duke vjedhur, plaçkitur, zhvatur dhe njëqind faqe të zeza tjera!
Atëherë integrimi ka qenë shumë më i lehtë! Me kalimin e kohës ky proces u politizua dhe u menaxhua shumë mirë nga Serbia! Tash asgjë nuk bëhej pa lejen e Serbisë. Serbët e Kosovës nuk e bënin as një lëvizje të vogël pa lejen e Serbisë! Hashimi u garantoi siguri. Siguri kishin. Hashimi u ndërtoi shtëpi. Shtëpitë u shitën apo mbetën të pabanuara. Hashimi u bleu traktorë. Traktorët u shitën. I nxori nga fusha dhe tharku duke u dhënë poste të larta ministrore dhe politike. Ata thoshin se nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Hashimi e shpalli pavarësinë. Ata e bojkotuan Ditën e shpalljes së Pavarësisë. U bë Kushtetuta. Ata nuk ishin në ditën e shpalljes së Kushtetutës! Hashimi ka bërë atë që i ka takuar të bëjë si kryeministër i Republikës së Kosovës. Dhe për këtë e kam përkrahur dhe e përkrah ende! Hashimi ka lëshuar pe edhe për Mitrovicën duke investuar miliona për serbët e rebeluar të cilët nuk e kanë pranuar as atë si kryeministër e as Republikën e Kosovës! Edhe këtu ka bërë lojë të mençur politike!
Kur banditët serbë u çartën në atë masë sa që nuk i duronte as Zoti, Hashimi dërgoi policët e njësisë speciale ROSU! E ka ditur Hashimi se me çfarë rreziku ballafaqohet, por nuk ka pasur tjetër rrugëdalje! Ose është dashur të mbetet Hashim ose është dashur të bëhet Hysamedin! Dhe kurrë nuk e besoj se Hashimi mund të bëhet si Hysamedini (Ajeti)! Deri më tani shumë mirë po mbahet, prandaj e ka përkrahjen edhe të atyre që e kanë sharë, mallkuar dhe po t’u jepej rasti edhe pushkatuar! Prandaj, në udhëkryqe historike janë vetëm dy mundësi: të qëndrosh me nder dhe fytyrë në mbrojtje të së drejtës dhe shtetit apo të shndërrohesh në leckë apo mbeturinë në mbrojtje të interesit personal dhe pushtetit! Imuniteti dhe pushteti kanë afate të përdorimit, ndërkaq mbrojtja e të drejtave politike, kombëtare dhe shtetërore të dërgojnë drejt amshimit! Tash pakëz për dy personazhet e nëntitullit. Behgjeti kryekëput varet nga Hashimi, prandaj mos të tregojë përralla kur për këtë është kompetent Nastradini!