Nënkryetari i OVL të UÇK, Nasim Haradinaj, ka thënë se nuk i frikësohet Gjykatës Speciale dhe se e pranon publikisht që ka vrarë ushtarë serbë.
Haradinaj është shprehur i revoltuar për krijimin e një Gjykate, që sipas tij, trajton njëanshëm krimet e luftës.
Ai thotë se nuk frikësohet nga një institucion i tillë, që sipas Haradinajt, është krijuar padrejtësisht për gjykuar shqiptarët, e jo serbët në luftën e fundit në Kosovë.
Përfaqësuesi i veteranëve ka thënë se ai dhe UÇK-ja kanë vrarë ushtarë serbë.
“Kam vra ushtarë serbë sa herë që kam pasur shancën. I them familjes time se më vjen keq që nuk kam vra aq sa më ka dashur qejfi. Më vjen keq që m’i kanë vra shokët, por më vjen mirë që i kam vrarë serbët”, ka thënë Haradinaj, në emisionin Frontal të T7.
Haradinaj e ka quajtur udhëheqësin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, “maneken” që shkon e vjen, por që, sipas tij, s’mund të bëjë asgjë, pasi Haradinaj beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së.
“Gjykata është e dështuar që nga fillimi. Ata kanë me i harxhu paret që i janë nda. Do t’i paguajnë qiratë e burxheve që i kanë marrë por do të mbesin thatë” , ka thënë tutje Haradinaj.
“Bota do ta sheh gabimin e saj. Nuk besoj që do të lejohet një gjykim fashist”, ka thënë përfaqësuesi i veteranëve.