Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, thotë se sulmet ndaj gazetarëve të cilat po eskalojnë kohëve të fundit, duke marrë si shkas kërcënimet e aktivistëve të BDI-së ndaj gazetarëve të Shenjës dje, janë sulm ndaj lirisë së fjalëve dhe lirisë së mediave në një shoqëri demokratike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas tij, opinioni publik në Maqedoni duhet të jetë i vetëdijshëm se sulmet ndaj gazetarëve nuk janë sume vetëm ndaj një individi, apo ndaj një medie, por është cënim i të drejtës të patjetërsueshëm të qytetarëve për të qenë të informuar. Selmani më tej ka shtuar me sjelljen e tillë ndaj gazetarëve, BDI është më afër grupacioneve terroriste në botë në mesin e të cilave është edhe ISIS, se sa grupacioneve demokratike.
“Unë sa kam informacion, në botë aktualisht, gazetarët janë të sulmuar, të kërcënuar, të vrarë nga tre grupacione, qofshin ato terroriste apo autoritare. Gazetarë vret ISIS, gazetarë kërcënon Zherinoski në Rusi, gazetarë sulmojnë fizikisht neonazistët në Evropë. Kjo I bie që BDI më shumë është afër ndaj këtyre grupacioneve terorriste dhe autoritare në botë se sa grupacioneve në botë që promovojnë vlerat demokratike në botën e lirë dhe demokratike”, ka deklaruar Naser Selmani, kryetar i SHGM-së.
Selmani është shprehur i bindur se porositës i këtyre sulmeve është kreu i BDI-së, dhe ka theksuar se nuk pret që krerët e BDI-së, të cilët siç thotë ai, kanë mungesë të kapaciteteve demokratike, të ndërpresin sulmin ndaj gazetarëve.
“Sepse jam i bindur që këto sulme janë të instrumentalizuara dhe të porositura nga kreu i kësaj partie, por unë besoj dhe dua të shpresoj që qytetarët e Maqedonisë dhe shqiptarët në rradhë të parë, këtyre zullumqarëve do ju jap përgjigjen më të mirë më 11 dhjetor. Sepse një parti shqiptare që sulmon gazetarët jo vetëm që nuk është në interest ë shqiptarëve, të zhvillimit të vendit, të integrimit të vendit, por ajo në një mënyrë cënon edhe ardhmërinë e gjeneratave të ardhshme”, tha më tej ai për Tv Shenja.
Ai po ashtu u ka bërë thirrje njerëzve që për arsye të ndryshme janë shndërruar në mashë të kësaj partie, që të mendojnë mirë kur vendosin të kërcënojnë dhe sulmojnë gazetarët./Telegrafi/