Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Osmani, ka bërë të ditur se ka vendosur që nuk do të jetë pjesë e listës së deputetëve të LDK-së për zgjedhjet e 6 tetorit.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se gjatë ditëve të fundit, është përballur me një presion medial krejtësisht të padrejtë.
“Kundër meje ka filluar një proces gjyqësor, mbi një aktakuzë pa asnjë bazë të arsyeshme edhe pa asnjë fakt. Ekspertiza gjyqësore e dëshmon të kundërtën e pretendimeve të prokurorit dhe e vë në pah pastërtinë time të plotë”.
Megjithatë, siç ka shkruar tutje Osmani, “duke e vlerësuar pafundësisht besimin që më keni dhënë dhe për të garantuar proces gjyqësor pa asnjë ndikim dhe pas asnjë dyshim, kam vendosur që, përkundër propozimit nga Dega e Lipjanit, të mos jem pjesë e listës së LDK-së, partisë sime të përjetshme”.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës!
Gjatë ditëve të fundit, jam përballur me një presion medial krejtësisht të padrejtë.
Kundër meje ka filluar një proces gjyqësor, mbi një aktakuzë pa asnjë bazë të arsyeshme edhe pa asnjë fakt.
Ekspertiza gjyqësore e dëshmon të kundërtën e pretendimeve të prokurorit dhe e vë në pah pastërtinë time të plotë.
Të dashur qytetarë, si përfaqësues i juaji në gjashtë legjislatura, kam mbrojtur me nder interesin e përgjithshëm dhe kam bërë më të mirën e mundshme.
Duke e vlerësuar pafundësisht besimin që më keni dhënë dhe për të garantuar proces gjyqësor pa asnjë ndikim dhe pas asnjë dyshim, kam vendosur që, përkundër propozimit nga Dega e Lipjanit, të mos jem pjesë e listës së LDK-së, partisë sime të përjetshme.
Dëshiroj të falënderoj Degën time dhe Kryesinë e LDK-së, t’u dëshiroj suksese kolegëve të mi kandidatë, si dhe jam i bindur se LDK-ja do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve.
Me respekt,
Naser Osmani