Është planeti më i afërt i Tokës, por që asnjë njeri akoma nuk e ka përshkuar rrugën prej mbi 56 milionë kilometrave deri në Mars.
Elon Musk së fundmi ka dhënë një parashikim ku ai tha se viti 2029 do të jetë hera e parë kur njerëzit do shkelin në “Planetin e Kuq”, përderisa NASA është paksa më konservatore sa i përket një vlerësimi kohor, duke parashikuar një “zbritje” në fund të viteve 2030 ose në fillimin e viteve 2040.
Por fatmirësisht, tani ekziston një mënyrë e lehtë për ta eksploruar Marsin dhe këtë mund ta bëni nga komforti i shtëpisë tuaj këtu në planetin Tokë, raporton Daily Mail, transmeton Telegrafi.
NASA ka lansuar një hartë të re interaktive e cila iu lejon juve që t’i eksploroni shkëmbinjtë dhe krateret e Marsit.
“Unë dëshiroja të bëja diçka e cila është e qasshme për të gjithë”, tha Jay Dickson, shkencëtari i cili udhëhoqi misionin për procesimin e imazheve.
“Këtë mund ta shfrytëzojnë nxënësit. Mund ta përdorë edhe nëna ime e cila sapo festoi ditëlindjen e saj të 78-të. Qëllimi ynë është që t’i heqim barrierat për njerëzit të cilët janë të interesuar për eksplorimin e Marsit”, shtoi ai.
Harta interaktive e “Planetit të Kuq” është bërë në “Caltech” duke përdorur 110 mijë fotografi të bëra nga sateliti i NASA-s “Mars Reconnaissance Orbiter”.
Harta përmban një sërë karakteristikash gjeologjike mahnitëse me detaje të jashtëzakonshme, duke përfshirë zonat e shkëmbinjve, krateret dhe gjurmët e vorbullave të erës. /Telegrafi/