Telegrafi

Napoli refuzon ta afrojë Ronaldon në afatin kalimtar të janarit

Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Manchester United në janar pasi nuk po gjen vend në formacionin fillestar dhe raportet me trajnerin Erik ten Hag nuk janë më të mirat.

Mediat angleze shkruajtën gjatë javës se Ronaldo mund të shkojë në Napoli sepse klub italian mund t’i plotësonte kërkesat e tij financiare dhe dëshirën për të luajtur në Ligën e Kampionëve. Por drejtuesit e klubit italian e kanë mohuar lajmin se duan ta afrojnë CR7-shin.

“Ardhja e Ronaldos në janar? Jo, nuk do të nënshkruajmë me askënd në janar. Nuk kemi nevojë të ndryshojmë asgjë në këtë skuadër, po bëjmë mirë dhe nuk po planifikojmë asnjë nënshkrim”, ka thënë drejtori sportiv i Napolit, Cristiano Giuntoli.

Kujtojmë se në fitoren 2-0 ndaj Tottenhamit, Ronaldo refuzoi të futej në lojë në fund të ndeshjes, ndaj Ten Hag e ndëshkoi me një ndeshje pezullim.

Këtë javë, Ronaldo u rikthye në stërvitje dhe Ten Hag tha se do të llogarisin në sulmuesin 37-vjeçar portugez në pjesën tjetër të sezonit. /Telegrafi/