Telegrafi

Napoli përmbys Juventusin

Përkundër dominimit të Napolit gjatë tërë takimit, ishin Bianconerët ata që shënuan të parët. Një asistim i Del Pieros përfundoi te Giorgio Chiellini, i cili u tregua i sigurt para portierit Morgan De Sanctis për rezultatin 1-0 (7’).

Loja e Napolit ndryshoi totalisht në fraksionin e dytë. Napolitanët në këtë periudhë shkelën juventinët duke shënuar tri herë.

Ishte Marek Hamsik që përfitoi nga një shërbim i Quagliarellas për barazimin e rezultatit (51’). Hamsik ia ktheu nderin Quagliarellas duke ia kthyer asistimin, ndërsa italiani kaloi vendasit në epërsi, 2-1 (72’).

Ezequel Lavezzi kompletoi kapitullimin e 11-të të Juventusit këtë sezon (88’) kur shënoi për 3-1 dhe vendosi rezultatin përfundimtar të ndeshjes.

Napoli me këtë fitore ka 45 pikë dhe gjendet në pozitën e gjashtë, me tri pikë më pak se Palermo në pozitën e katërt. Juventusi ka po ashtu 45 pikë por gjendet në pozitën e shtatë në Serie A.