Telegrafi

Napoli paraqiti kërkesë zyrtare për shtyrje të ndeshjes dhe informoi edhe Juventusin

Napoli ka kërkuar zyrtarisht të shtyjë ndeshjen e mbrëmjes së sotme në Serie A kundër Juventusit dhe avokati i klubit pretendon se skuadra nuk mund të udhëtojë në Torino pasi do të kryente “vepër penale”.

Mattia Grassani, njëri nga avokatët e Napolit ka dhënë lajmin për paraqitjen e kërkesës së klubit për të shtyrë ndeshjen me Juventusin.

“Ka disa dokumente dhe komunikime të Autoritetit Lokal të Shëndetit dhe Regjionit Campania që u kërkojnë lojtarëve tanë të mos largohen nga shtëpitë e tyre”.

“Ne informuam Lega Serie A, FIGC dhe Juventusin se ekipi nuk është në gjendje të largohet për në Torino pasi do kryente vepër penale”, ka thënë Grassani për La Gazzetta dello Sport.

Lexo po ashtu FIGC mendon shtyrjen e ndeshjes Juventus-Napoli për të parandaluar polemikat dhe kaosin në Serie A

Sipas disa mediave në Itali, Napoli ka kërkuar zyrtarisht të shtyjë ndeshjen e mbrëmjes së sotme përmes një emaili të dërguar nga Presidenti Aurelio De Laurentiis.

“Duket qartë se skuadra nuk mund të largohet për në Torino. Fluturimi për në Torino do të nënkuptojë shkeljen e një vendimi të Autoritetit Lokal të Shëndetit dhe rrezikun e përballjes me të gjitha pasojat ligjore”.

Lexo po ashtu Juventusi insiston në zhvillimin e ndeshjes me Napolin, paralajmërojnë takimin e sotëm

“Për këto arsye ne i kërkojmë Ligës Nacionale Profesioniste të Serie A të shtyjë ndeshjen në një datë tjetër për arsye që janë jashtë kontrollit tonë”, lexohet në emailin e dërguar nga De Laurentiis.

Juventusi e bëri të qartë mbrëmjen e kaluar se ata do të paraqiten në Allianz Stadium për të luajtur ndeshjen dhe këtë mëngjes skuadra po vazhdon me orarin e saj të ditës së ndeshjes. /Telegrafi/