Elseid Hysaj u kthye te Napoli nga pushimet në Amerikë, por gjendja e mbrojtësit shqiptar shqetëson Napolin.
Shkodrani nisi punën në palestër, me stërvitje të diferencuar. Gjithçka për shkak të një viroze gripale, e cila ka bërë që 22-vjeçari të jetë në dyshim për ndeshjen e parë të vitit 2017, ku të shtunën të kaltrit do të luajnë në “San Paolo” përballë Sampdorias.
Trajneri Sarri është me dhimbje koke, ndërsa vetë mbrojtësi i djathtë dhe stafi mjekësor po bëjnë të pamundurën që ai të jetë në fushë, për sfidën që mbyll fazën e parë të Serisë A. Hysaj mund të jetë i detyruar të shtrëngojë dhëmbët dhe të luajë, pavarësisht se nuk do të jetë në formë optimale. Kjo për faktin se te Napoli mungojnë të gjithë mbrojtësit e tjerë titullarë, transmeton Supersport.
Nga Albiol i skualifikuar, për të vijuar me Koulibaly dhe Ghoulam të cilët janë të angazhuar në Kupën e Afrikës, ndërsa jashtë mbetet edhe Chiriches që vuan një dëmtim muskulor.
Elseid Hysaj pritet të jetë në fushë përballë Sampdorias në fundjavë, ndërsa nëse gjendja e tij përkeqësohet, gati do të jetë veterani Maggio. Përkrah kuqeziut në mbrojtje do të jenë Tonelli, Maksimovic e Strinic. Pavarësisht situatës alarmante në repartin difensiv, mbrojtësi shqiptar dhe të tjerët e kanë të qartë që në fund vlen vetëm fitorja, për të vazhduar luftën për titull.