Napoli është treguar skuadër e fortë për kampionin në fuqi të Ligës së Kampionëve, Liverpool, të cilin e ka mposhtur me rezultat 2-0, në ndeshjen e parë të fazës grupore.
Në minutën e shtatë të takimit, Hirving Lozano arriti ta fuste topin në rrjetë, mirëpo goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Në vazhdim, një rast të mirë e pati Sadio Mane, i cili pranoi një pasim preciz në zonë, porse Alex Meret e kuptoi qëllimin e tij dhe ia mohoi golin.
Pa përfunduar pjesa e parë, James Milner dërgoi një harkim në zonë, porse goditja me kokë e Roberto Firminos përfundoi jashtë.
Me të filluar pjesa e dytë, Mario Rui rrezikoi, por portieri Adrian ishte në vend. Nga ana tjetër i rrezikshëm u tregua Mohamed Salah, por intervenoi Meret.
Një ndërhyrje të Andrew Robertson, gjyqtari e ndëshkoi me penallti, ndërsa Dries Mertens e zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë (82′).
Një gabim në mbrojtjen mysafire e shfrytëzoi Fernando Llorente, i cili reagoi me qetësi dhe u tregua i saktë nga afërsia për golin e dytë (90’+2).
Në ndeshjen tjetër të Grupit E, Salzburgu e ka mposhtur Genkun me rezultat 6-2 dhe mban vendin e parë së bashku me Napolin me nga tri pikë. /Telegrafi/