Telegrafi

Napoli fiton ndaj Romës dhe distancohet në krye

(Foto: Getty)

Napoli ka triumfuar përballë Romës (2-1) në stadiumin ‘Diego Armando Maradona’ në ndeshjen e javës së 20-të në Serie A.

Pas pesë minutazh lojë, Khvicha Kvaratskhelia pati një mundësi shumë të mirë, por Rui Patricio bëri një pritje të mrekullueshme.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 17-të të takimit. Kvaratskhelia dërgoi një harkim në zonë, të cilin e ndali me gjoks Victor Osimhen, edhe pse pranë i kishte dy lojtarë kundërshtarë. Ai pati kohë ta rregullojë topin dhe pastaj goditi me vole për të realizuar një gol të bukur.

(Foto: Twitter/SSC Napoli)

Leonardo Spinazzola pati një rast shumë të mirë në fund të pjesës së parë, mirëpo Alex Meret bëri një pritje brilante për t’ia mohuar golin. Në gjysmën e dytë, Hirving Lozano bëri një gjuajtje shumë të mirë, por Patricio ishte vendimtar në pritjen e tij.

Stephan El Shaarawy ishte në vendin e duhur për t’i barazuar shifrat (75’), pas një asistimi nga Nicola Zalewski.

(Foto: Twitter/AS Roma)

Megjithatë, reagimi i liderit ishte i shpejtë për ta rikthyer epërsinë me golin e Giovanni Simeone (86’), i cili e pranoi një top në qendër nga Piotr Zielinski dhe e realizoi golin e fitores.

Napoli vazhdon primatin në Serie A me 53 pikë, 13 pikë më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Interi. Roma është në vend të gjashtë me 37 pikë, një pikë prapa Atalantas që mban pozitën e katërt. /Telegrafi/