Nancy Pelosi ka njoftuar se nuk do të kërkojë një mandat tjetër si kryedemokratja në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së.
Kështu ajo do të largohet nga posti pas gati dy dekadash, pas humbjes së shumicës nga partia e saj në zgjedhjet afatmesme, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Me besim të madh në grupin tonë parlamentar, unë nuk do të kërkoj rizgjedhje në udhëheqjen demokrate në Kongresin e ardhshëm”, citohet të ketë thënë Pelosi.
“Për mua ka ardhur ora që një brez i ri të udhëheqë grupin demokratik që unë e respektoj thellësisht dhe jam mirënjohës që kaq shumë janë gati dhe të gatshëm të mbajnë mbi supe këtë përgjegjësi të jashtëzakonshme”.
Pelosi, e cila është 82 vjeçe, tha se nuk do të largohej tërësisht nga Kongresi dhe do të vazhdojë të mbajë vendin e saj në Dhomën e Përfaqësuesve që përfaqëson San Francisko.
“Nuk ka nder më të madh të veçantë për mua sesa të qëndroj në këtë skenë dhe të flas për popullin e San Franciskos. Këtë do të vazhdoj ta bëj si anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve duke folur për popullin e San Franciskos, duke i shërbyer shtetit të madh të Kalifornia dhe mbrojtjes së Kushtetutës sonë”, vazhdoi ajo.
Vendimi i Pelosit hap rrugën për një garë në fund të muajit për ta zëvendësuar atë, duke sjellë potencialisht një brez të ri ligjvënësish për të udhëhequr partinë Demokratike në Dhomën e Përfaqësuesve.
Pelosi ka qenë një figurë madhështore në politikën amerikane që kur ajo u bë gruaja e parë që drejtoi një parti të madhe në Kongres në vitin 2003 dhe gruaja e parë që ishte Kryetare e Dhomës në 2007.
Ajo ka qenë e njohur për “komandimin efektiv të fraksioneve të ndryshme” të Partisë Demokratike, duke qenë një mbledhëse e jashtëzakonshme fondesh dhe duke përcjellë legjislacion të madh dhe shpesh të diskutueshëm përmes Dhomës, pavarësisht nëse partia e saj kontrollonte Shtëpinë e Bardhë apo jo. /Telegrafi/