Telegrafi

Nana ime e moshuar nuk është personalitet, prandaj nuk vaksinohet!

Edi Rama foli dhe një herë për situatën: “Do vazhdojmë me një numër tjetër të moshuarish që janë personalitete që duhet t’i mbajmë sa më mirë dhe jo thjesht të kujtohemi, kur vdesin e të mbajmë fjalim…”.

Unë kam nanën në shtëpi, grua zonjë, e moshuar, por nuk ka qenë kurrë komuniste, ish-sigurimse dhe me kriteret e kryeministrit të Shqipërisë asnjëherë në anën e duhur të historisë. Natyrisht, meqë nuk plotëson kriteret e këtilla i thashë sot të ngrohet në diell, sepse përfiton dy gjëra: e para, theket, e dyta, merr vitaminë D qelepir.

Zeqiri Mero, nëse më në fund nuk i është dhjerë shpirti, ishte 100 vjeç, kur e përqafonte gjithë dashuri rilindasi.

Sipas gazetarit Dashnor Kaloçi, në vitin 1945 Zeqiri Mero ka zbatuar një radiogram urgjent të firmosur nga Enver Hoxha, me cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Ky radiogram aprovonte dënimin me vdekje të gjashtë personave, gjykuar nga një Këshill Gjyqësor Ushtarak i Divizionit të III-të, të Korparmatës së Dytë, të kryesuar nga Kryetari Irakli Bozo (major) dhe prokuror, Ziqiri Mero, kapiten i parë.

Zeqiri Mero është “personalitet” i padiskutueshëm që është vlerësuar me një dekoratë nga Rusia në vitin 2015, me motivacionin që ka qenë i angazhuar në formacionet partizane në zona të ndryshme të vendit, duke luftuar kundër pushtuesve fashistë. Në nder të tij gjithashtu një rrugë në Korçë thërritet me këtë emër ogurzi.

Si Zeqiriu, Rilindja ka plot të moshuar, por ish-prokurorë, ish-KQ-ista apo ish-sekretarë partie, si fjala vjen Spartak Braho dhe Gramoz Ruçi.

Këta duhet me çdo kusht të vaksinohen që djalli të rrijë gjallë në shpinë të këtij vendit, kurse nana ime, nana e shumë e shumë të tjerëve duhet të kënaqen, nëse Zoti u fal pak diell, se shoshën e ka Rilindja.