Telegrafi

Nakamura mposht serbin Rajicic në finale dhe fiton medaljen e artë për Kosovën në Dubrovnik, Flaka Loxha e pafat në finale

Xhudisti japonez i cili përfaqëson Kosovën, Shigeki Nakamura, ka arritur të fitojë medaljen e artë në Kupën Evropiane të Xhudos që po zhvillohet në Dubrovnik të Kroacisë, ndërsa Flaka Loxha ishte e pafat në finale duke u mposhtur nga italiania Veronica Toniolo.

Nakamura ka debutuar suksesshëm me Kosovën duke fituar dy meçet e para ndaj xhudistëve slloven, Aljaz Plantaku dhe Goran Kelevan, për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.

Reprezentuesi i Kosovës ishte i papërmbajtshëm edhe në gjysmëfinale duke arritur të eliminojë serbin, Djordje Stanojevic.

Në finale, të kategorisë deri në 73 kilogramë, Nakamura pati një përballje ndaj  një xhudisti tjetër serb, Aleksandar Rajicic.

Megjithatë, edhe kjo përballje shkoi pozitivisht për Nakamura, i cili mposhti serbin Rajicic me ‘ippon’.

Ndryshe, Nakamura vetëm para pak kohësh ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare dhe qysh në paraqitjen e tij të parë, fitoi të artën.

Ndërkohë, Flaka Loxha ka humbur finalen e saj në Dubrovnik.

Ajo u mposht nga italiania, Veronica Toniolo në një finale të gjatë në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Fitorja e Nakamuras e qoi në dy numrin e medaljeve të arta për Kosovën në Kupën Evropiane që po zhvillohet në Dubrovnik të Kroacisë.

Më herët gjatë ditës triumfoi edhe Laura Fazliu në kategorinë deri në 63 kilogramë. /Telegrafi/