Mirjana Najçevska dje në një emision për mediumet maqedonase deklaroi se Prokuroria Themelore duhet të bëhet më e pavarur, ndërsa për PSP-në tha se duhet ka pasur afat të caktuar për të përfunduar punën dhe të duhet të vetë-shpërbëhet.
Ajo tha se nëse vazhdohet me bërjen e strukturave paralele të këtilla, do të humbet momenti i ndërtimit të shtetit të së drejtës përmes institucioneve ekzistuese, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Duhet të pastrohet Prokuroria Themelore, definitivisht. Duhet të bëhet më e pavarur dhe të jetë e fuqishme. Do të thotë të kemi Prokurori që do të mund të luftojë me krimin dhe mosndëshmueshmërinë e funksionarëve qeveritar”, tha Najçevska.
Ndryshe, grupet e punës të partive maqedonase akoma nuk kanë arritur marrëveshje për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike, me të cilin do të rregullohet edhe statusi i PSP-së.
Para disa ditësh partia opozitare maqedonase ka dorëzuar amendamente, ndërsa kërkon që PSP-ja të vazhdojë punën si pjesë e Prokurorisë Themelore, pa status të veçantë dhe “bombat” të mos përdoren si dëshmi në rastet e reja.
Ditë më parë për çështjen e PSP-së në negociata janë përfshirë edhe partitë opozitare shqiptare. Kryetarët Bilall Kasami dhe Ziadin Sela më herët realizuan takim me kryeministrin Zoran Zaev, ku edhe i kanë shprehur qëndrimet e tyre në lidhje me Prokurorinë Speciale./Telegrafi/