Telegrafi

Naim Qelaj, për tragjedinë dhe luftën 17-vjeçare për të drejtën e Shyhrete Berishës: Klientja ime më në fund ndjen një fitore morale (Video)

Në emisionin “Përballje” – prodhim nga Telegrafi.com me gazetarin Muhamet Hajrullahu – është diskutuar rasti gjyqësor i të mbijetuarës së masakrës së kryer nga forcat serbe ndaj familjes Berisha në Suharekë, gjatë vitit 1999.

Avokati Naim Qelaj ka deklaruar se klientja e tij, në telefonatën që kanë pasur pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prizren (Dega në Suharekë), ka qenë shumë e emocionuar që rasti i saj pas 17 vitesh ka përfunduar në dobi të saj – ani pse jo me vendim fuqiplotë.

“Gjykata në Suharekë, që nga viti 2000 është përballur me kërkesën që ajo të kthehet në shtëpinë ku ka jetuar e ku ishin kujtimet e fëmijëve e të bashkëshortit të saj”, ka thënë ai. “Ajo ka thënë se ky vendim është lajm i mirë për të, sepse po triumfon e drejta. Telefonatën u ndërpre shpejtë, për shkak të gjendjes emocionale të saj”.

Në anën tjetër, Luljeta Demolli – drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore – ka thënë se ky rast ka gëzuar të gjithë aktivistët që kanë lobuar për temat si ajo e së drejtës së pronës.

‘Ky rast i ka përshkruar të gjitha dobësitë në sistemin tonë të drejtësisë e në sistemin tonë shoqëror për mos njohjen e pronës që i takon gruas si pjesë e barabartë e shoqërisë dhe familjes”, ka thënë ajo.

Shyhrete Berishës, së cilës më 1999 ia vrasin fëmijët dhe burrin, më në fund i njihet e drejta mbi pronësinë e gjysmës së shtëpisë dhe të tokës në të cilën ka jetuar me familjen. /Telegrafi/