Paralajmërimi i zyrtarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), se partisë – në mesin e shumë aderimeve – po i kthehet edhe ish-anëtari Naim Maloku, duket të (mos) jetë i saktë!
Deputeti i AAK-së, Ali Berisha, sot në profilin e tij në Facebook ka shkruar se Naim Maloku dhe veprimtari politik, Agim Haziri, është bërë pjesë e karvanit të partisë së Ramush Haradinajt.
“Pas kthimit të Naim Malokut dhe figurave të tjera të shumta në nivel të degëve dhe të qendrës, sot na është bashkuar në punën tonë drejt sukseseve, veprimtari politik shumëvjeçarë dhe intelektuali z.Agim Haziri”, ka shkruar Berisha.
Maloku, i pyetur nga mediat për këtë aderima, ka theksuar se kjo nuk është e vërtetë. Madje, sipas tij, nuk ka qenë i informuar për këtë deri në momentin kur është pyetur nga gazetarët!
Por, i kontaktuar nga Telegrafi, eksperti i sigurisë ka thënë se ai nuk e ka zyrtarizuar kalimin e tij në AAK, por nuk e ka mohuar se është i afërt me Haradinajn dhe partinë e tij.
“Unë nuk do të kyçem në strukturat e partisë, por do t’i përkrah ata në zgjedhjet e ardhshme kur do të vinë. Kemi komunikim shumë të mirë. Kemi edhe raporte të mira”, ka shtuar Maloku. /Telegrafi/