Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës njofton se ka zgjedhur Nagip Krasniqin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv.
Sipas njoftimit, gjatë javës së kaluar janë zhvilluar procedurat e intervistimit për të gjithë kandidatët potencial të cilët i kishin përmbushur kriteret e parapara në shpalljen publike, përcjell Telegrafi.
“Bordi bazuar në kompetencat që rrjedhin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike ka shpallur konkursin për kryeshef ekzekutiv të KEK, i cili ka qenë i hapur për një muaj dhe është mbyllur më 23.08.2021. Në këtë drejtim, Bordi i përkohshëm si përfaqësues i Qeverisë, ka udhëhequr një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese ne pajtim me Ligjin e Ndërmarrjeve Publike. Ky proces është mbështetur nga Partneri i jashtëm zbatues i Projektit të Ambasadës Britanike për rekrutimin e pozitave të larta drejtuese”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Për këtë pozitë kanë aplikuar 34 kandidatë.
Krasniqi kishte qenë drejtues i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje. /Telegrafi/