Telegrafi

Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim, Apeli refuzon ankesën e mbrojtjes

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e palës mbrojtëse për të pezulluar masën e paraburgimit ndaj kryshefetit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Nysret Arifi.

“Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e palës mbrojtëse dhe i pandehuri Nagip Krasniqi mbetet në paraburgim, ndërsa aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 i datës 20.04.2023, vërtetohet”, ka thënë Arifi.

Mbrojtja ka kërkuar që Krasniqi të lirohet nga paraburgimi dhe atij t’i caktohet një masë më e butë me qëllim që të sigurojë praninë e tij në procedurën penale si dhe në të njëjtën kohë, të respektohen parimet themeltare të drejtësisë.

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka caktuar një muaj paraburgim kryeshefit të KEK, Nagip Krasniqi, pasi dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.

Krasniqi u arrestua më 19 prill nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, kishte njoftuar prokuroria.

Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm. /Telegrafi/