Julian Nagelsmann thuhet të jetë bërë trajneri më i shtrenjtë, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet RB Leipzigut dhe Bayern Munichut për ta përfunduar kontratën me ekipin aktual dhe të marrë drejtimin e bavarezëve pasi të përfundojë ky sezon.
Të hënën ishte raportuar se 33-vjeçari kishte arritur marrëveshje të shpejtë me kampionin gjerman, mirëpo pengesë kyçe ishte çmimi i lirimit nga klubi i tanishëm.
Dhe gjatë të martës është raportuar se dy klubet kanë arritur marrëveshje (gjë që u konfirmua) duke e bërë kështu Nagelsmannin trajnerin më të shtrenjtë në botë.
Julian #Nagelsmann to leave #RBLeipzig at the end of the 2020/21 season.
The 33-year-old will then take on a role as the new head coach of @FCBayernEN as of 1st July 2021. pic.twitter.com/SPx6wWkhGI
— RB Leipzig English (@RBLeipzig_EN) April 27, 2021
Sipas The Athletic, Bayerni do të paguajë 20 milionë euro dhe pesë milionë euro të tjera në formë shtesash (pra 25 milionë euro në total), në mënyrë që Leipzigu ta lironte nga kontrata. Dhe kjo e bën atë trajnerin më të shtrenjtë në histori për të cilin ka paguar një klub për shkëputjen e kontratës me klubin paraprak.
Tottenham Hotspur ishte interesuar për shërbimet e Nagelsmann pas largimit të Jose Mourinhos, mirëpo strategu gjerman gjithmonë kishte ëndërruar ta drejtonte klubin për të cilin bën tifo që nga fëmijëria.
Kur Bayerni mësoi se Hansi Flick ka vendosur të largohet nga Allianz Arena në fund të sezonit 2020/2021, menjëherë e gjeti trajnerin pasues, i cili do ta nisë punën e re më 1 korrik 2021 dhe ka nënshkruar marrëveshje deri në vitin 2026. /Telegrafi/