Site icon Telegrafi

Nagavci vizitoi shkollën e Karaçevës dhe të Busavatës, njoftohet nga afër për mbarëvajtjen e procesit të mësimit të përshpejtuar alternativ

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka vizituar të premten shkollën fillore dhe të mesme të ulët, “Asllan Thaçi” në Karaçevë të Poshtme, si dhe shkollën “Hasan Prishtina” në Busavatë të komunës së Kamenicës.

MASHTI thotë se “qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi nga afër për mbarëvajtjen e procesit të mësimit të përshpejtuar alternativ”.

“Ministrja Nagavci edhe njëherë ka ofruar mbështetjen e MAShTI-it që ky proces të realizohet me sukses. Mësimdhënësit e këtyre shkollave u shprehen të gatshëm që të vazhdojnë punën në mënyrë që mësimi i përshpejtuar të realizohet ashtu siç është paraparë”, thuhet në njoftimin e MASHTI.

Tutje, në njoftim thuhet se vendimi i MAShTI synon që përmes mësimit alternativ të përshpejtuar të kompensohen orët e humbura për nxënësit e nivelit të arsimit fillor (I-V) dhe nxënësit e nivelit të arsimit të mesëm të ulët (VI-IX).

“MAShTI edhe njëherë ua ka bërë të qartë Komunës së Kamenicës se është e gatshme të ofrojë gjithë mbështetjen në ofrimin e kushteve të përshtatshme që të gjithë fëmijëve t’u garantohet e drejta për shkollim”. /Telegrafi/

Exit mobile version