Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci ka thënë se vendi është duke shkuar drejt një katastrofe humanitare dhe ekonomike dhe se sjellja e Qeverisë së Kosovës, sipas saj nuk është aspak në nivel të përgjegjësisë.
Ajo tha se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa shëndeti i qytetarëve të Kosovës.
“Nuk di cila çështje është më e rëndësishme sesa shëndeti i qytetarëve dhe për fat të keq jemi duke shkuar drejt një katastrofe humanitare”, tha ajo.
Sipas saj, është momenti i fundit që të ketë veprime profesioniste dhe njerëzore në raport me shëndetin e qytetarëve.
“Shumica e të dyshuarve me coronavirus jo se nuk po trajtohen por as nuk po kanë mundësi të testohen. Në këtë situatë, sjellja e qeverisë nuk është aspak në nivel të përgjegjësisë”, tha ajo.
Gjatë fjalimit të deputetes Nagavci deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës bënin zhurmë, duke goditur tavolinat. /Telegrafi/