Telegrafi

Nagavci tregon numrin e prindërve që kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se deri në orën 19:00 gjithsej 11 mijë e 800 prindër ose kujdestarë ligjorë kanë aplikuar për subvencionimin e teksteve shkollore.

Ajo ka bërë të ditur se mundësia për të aplikuar do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator, me qëllim që asnjë nxënës të mos mbetet pa u pajisur me tekste shkollore.

Lexo po ashtu Hapet platforma, këtu mund të aplikoni për subvencionim të teksteve shkollore

“Nga Drejtoritë komunale të arsimit kemi kërkuar që listat për tekstet mësimore të zgjedhura nga aktivat profesionale, t’i bëjnë publike në shkolla dhe në uebfaqet e tyre, ashtu që prindërit të kenë të dhënat e nevojshme për tekstet që do të blejnë për fëmijët e tyre. Jemi të njoftuar po ashtu se mësimdhënësit tashmë kanë filluar t’i ndajnë këto lista me prindërit”, ka shkruar ministrja në llogarinë e saj zyrtare në Facebook.

Tutje, ka shtuar se shtëpitë botuese kanë publikuar katalogët e teksteve mësimore me çmimet përkatëse dhe se kanë marrë zotimin që çmimet nuk do të rriten e po ashtu që sasia e teksteve është e mjaftueshme për numrin e nxënësve.

“Institucionet edukativo-arsimore me fillimin e vitit të ri shkollor, përmes DKA-ve, do të na informojnë në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor, duke evidentuar edhe rastet eventuale të nxënësve të cilët mund të mos jenë pajisur me tekste shkollore si rezultat i mos-pranimit të mjeteve nga ana e prindërve për çfarëdo arsye”, ka deklaruar Nagavci.

Sipas saj, të gjitha rastet e adresuara nga shkollat/ DKA-të apo në e-mailin libri@rks-gov.net do të trajtohen ashtu sikurse do të adresohet çdo shqetësim teknik apo tjetër dhe asnjë nxënës nuk do të mbetet pa përfituar mbështetjen për tekstet dhe mjetet mësimore. /Telegrafi/